Ikona e teatrit dhe e filmit shqiptar, Robert Ndrenika rikthehet në skenën e teatrit në rolin e një profesori

Teatri

Ikona e teatrit dhe e filmit shqiptar, Robert Ndrenika rikthehet në skenën e teatrit në rolin e një profesori

Më: 27 janar 2017 Në ora: 20:23
Shfaqja “Mendohu Xhakomino”

Një nga emrat më të dashur për shqiptarët në kinematografi dhe teatër, Robert Ndrenika do të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit të Metropolit në veprën  “Mendohu Xhakomino” nën regjinë e Milto Kutalit.

Për vënien në skenë të veprës së njohur të nobelistit italian Pirandello, aktorët kanë nisur provat ku në qendër të veprës është një profesor që është i afruar moshës së pensionit, por që nuk ka krijuar as familje, nuk ka as të afërm mendon të sakrifikojë për gjeneratën e re, për ti dhënë një mësim shoqërisë.

Ai bën një martesë fiktive, adopton një vajzë që është vajza e dy prindërve shumë të varfër vetëm që ti japë mundësi një çifti të ri, që të krijojnë jetën, të paktën të hedhin hapat e para në jetë.

“Kjo sipërmarrje e profesor Totit, që është kryeprotagonisti i veprës ka disa ngacmime nga opinioni publik, nga ekzekutivi lokal atje, sepse nuk janë kaq të ndjeshëm sa është ai për ti shërbyer gjenerata- gjeneratës. Mua më duket që është një nga shembujt më sinjifikativë që njerëzit duhet ta duan dhe duhet të bëjnë sa të kenë mundësi”, shprehet për këtë shfaqje regjisori Kutali.

Një vepër e pohuar si komedi, personazhet e Pirandello-s kanë doza të shumta humori thotë ai. “Mund ta shikosh dhe si një vepër lirike, dhe sigurisht që Pirandello i cilëson si komedi veprat e tij, sepse ka doza humori, sidomos ndërtimi i disa karaktereve që shprehin natyrshmërinë e njerëzve të thjeshtë, provokojnë të qeshurën edhe një lloj humori të begatë në vepër. Dhe profesor Toti është një njeri shumë fin që vë në lojë gjithë këtë shoqëri, që duket sikur bën për njeriun, por në fakt që është shumë e vakët për sa i përket shërbimit njerëzor”, thotë Kutali.

Sipas tij kjo vepër ka ngjashmëri me aktualitetin shqiptar.” Zgjodha “Mendohu Xhiakomino” të nobelistit Luigi Pirandello sepse mjedisi shqiptar ka nevojë për humanizëm njerëzor. Është një nga veprat e hershme të Pirandelos dhe ka të bëjë me periudhën, ku më së shumti ai i përkiste periudhës së verizmit italian. Sigurisht që kemi të bëjmë me histori, që vijnë si histori të jetuara.

Aspekti human është ajo që e përshkon nga fillimi në fund këtë vepër, dhe mua më intereson shumë për momentin në të cilin ndodhet dhe shoqëria shqiptare, për disa vlera të qenësishme të humanizmit njerëzor që kanë filluar të humbasin”, thotë Kutali. Robert Ndrenika ka në ketë vepër rolin e profesor Totit ndërsa personazhet e tjerë do të interpretohen nga Amri Hasanlliu-Xhiakomino, Paola Kodra-Liljana, Arben Derhemi-Cinkuemani, Marjana Kondi-Marjana, Klodjana Keco-Rozaria, Redjan Mulla-At Landolino, Alert Celoaliaj-Kavalier Diana, Merita Dabulla-Filomena dhe Erza Voglo-Nini.

Vepra premierë “Mendohu Xhakomino”, do të ngjitet në skenën e Metropol në datat 2, 3, 4 dhe 5 shkurt në orën 19.00.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat