“Gjetja e Festës së humbur”, dhurata e Teatrit për fëmijët

Teatri

“Gjetja e Festës së humbur”, dhurata e Teatrit për fëmijët

Më: 19 dhjetor 2016 Në ora: 10:40
“Gjetja e Festës së humbur”

Teatri Eksperimental çeli dyert me “Gjetja e festës së humbur” një shfaqje për fëmijë e cila do të luhet në skenë deri në 15 Janar. Argëtimi dhe atmosfera e ngrohtë e Krishtlindjeve ka qenë dhurata që katër aktorët kanë dhënë për shikuesit e vegjël. E këta të fundit nuk mund të mungonin me pafajësinë e tyre, kur në mes të aktrimit të ndërhynin me pasthirrma, të qeshura apo dhe t’u përgjigjeshin me zë pyetjeve të aktorëve. Gjithçka krejt natyrshëm dhe mjaft larg seriozitetit, që të rriturit shpesh ndjekin në edicione të tilla. Shfaqja ishte plot ngjyra dhe aktorët u kujdesën për “të mbajtur” një atmosferë sa më argëtuese dhe të gëzueshme.

Në shumë momente, fëmijët u bënë “pjesë” e shfaqjes duke iu përgjigjur pyetjeve të aktorëve se ku ndodhej kapela e babagjyshit, a është mirë të largohemi nga shtëpia pa njoftuar prindërit etj. Skenografia e menduar si një bredh gjigant festash, shfaqte herë pyllin dhe herë shtëpinë e dy personazheve kryesore Dili e Dila, të cilët përpiqen të gjejnë festat duke i menduar ato si të gjalla. Pjesë e shfaqjes janë edhe personazhet kukulla si krokodili, breshka, gjarpri dhe bufi të cilët tek fëmijët shkaktuan shumë entuziazëm të qeshura dhe emocione.

Bota e tyre e sinqertë dhe plot pafajësi, reagonte njëzëri ndaj “ligësisë” së krokodilit përmes pasthirrmave të frikës, ndërsa bufi harraq u shkaktonte të qeshura të forta dhe breshka gazetare apo babagjyshi i bënte ata t’u shkëlqenin sytë nga gëzimi. “Gjetja e festës së humbur” bën fjalë për dy fëmijë të cilët i mendojnë festat si qenie të gjalla. Nga mos durimi për ardhjen e tyre dy fëmijët, nisen në një udhëtim bashkë me kapelen e babagjyshit e cila flet dhe i drejton në një udhëtim plot të papritura dhe peripeci për t’i marrë festat dhe për t’i sjellë ato në shtëpinë e tyre. Gjatë rrugës, ata ndeshen me disa personazhe kukulla si bufi, krokodili, breshka dhe nepërka. Disa prej këtyre personazheve si krokodili dhe nepërka ua vështirësojnë rrugëtimin dy fëmijëve duke përfaqësuar krijesat dinake dhe të liga ndërsa disa të tjerë si breshka gazetare dhe kapela i ndihmojnë ata.

Në fund të shfaqjes fëmijët kthehen përsëri në shtëpinë e tyre pasi kanë kuptuar se dhuratat që ata në të vërtetë duan, nuk janë objektet e argëtimit si lodrat por dashuria dhe familja e bashkuar. Fëmijët në fund takohen me nënën e tyre dhe babanë, i cili u sjell edhe dhuratat e dëshiruara, një kukull Dilës dhe makinë Dilit. Edhe fëmijët e vegjël ndërsa presin në këtë prag festash, “të rrethohen” nga lodrat e tyre të parapëlqyera, kukulla apo makina, përmes kësaj shfaqe, marrin një dhuratë të këndshme në formën e një mesazhi, përpara lodrave dhe objekteve materiale, është familja e bashkuar dhurata më e bukur. Kasti përbëhet nga katër aktorë të akademisë së arteve Françeska Hysi, Aleksandër Mitrollari, Dajana Nanaj dhe Donald Shehu, të cilët gjatë shfaqjes, jo vetëm aktrojnë, por improvizojnë e madje edhe këndojnë.

Flasin aktorët 

Dajana Nanaj: “Komunikimi me fëmijët është i qëllimshëm për ti nxitur ata të bëhen pjesë e shfaqjes dhe me siguri për të larguar çdo grimë mërzie gjatë saj, për ta bërë shfaqjen sa më argëtuese në mënyrë që edhe mesazhi që jepet “të përthithet” plotësisht, sfida jonë si aktorë është që publiku duhet të mos e kuptojë që i njëjti aktor luan këto role objekte apo personazhe të ndryshme dhe për ne çdo shfaqe është një emocion i veçantë pasi duhet të përshtatemi me publikun. Çdo publik është i ndryshëm dhe nuk reagon përherë njësoj sidomos kur kemi të bëjmë me fëmijë, është çdo herë si të japësh një shfaqje të re me një tekst të ri”. Françeska Hysi: “Kjo shfaqe për mua është shumë e bukur pasi gjithçka e kemi krijuar vetë nga fillimi, edhe kukullat janë realizuar nga ne, skenografia e të gjitha, në një periudhë shumë të shkurtër prej një muaji dhe mjaft impenjative e intensive”.

Pasioni i fëmijëve për teatrin 

Shfaqja “Gjetja e festës së humbur”, e shkruar për fëmijët dhe dedikuar atyre përmes mesazheve pozitive do të qëndrojë në teatër gati një muaj dhe kushdo fëmijë që ka dëshirë, siç është edhe motoja e shfaqes, ti marrë prindrit e ti sjellë për ta pare, pasi Shfaqe të tilla, gazmore, argëtuese dhe mësimdhënëse duhet të shfaqen edhe më shpesh në teatër dhe këta të fundit të mos rezervohen vetëm për shfaqe me të rritur pasi dhjetra vogëlushët tek dera që mezi prisnin të hynin këtë na thonë. Teatri kujtim spahivogli këtë bëri, zgjodhi që këto festa “të jetë” vetëm i fëmijëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat