Artistët e TKOB-së peticion Ramës: Mos pranoni dorëheqjen e Kernit

Teatri

Artistët e TKOB-së peticion Ramës: Mos pranoni dorëheqjen e Kernit

Më: 1 gusht 2016 Në ora: 14:10
Ilir Kerni

Artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit kanë bërë një peticion për mos dorëheqjen e Ilir Kernit nga posti i drejtorit të këtij institucioni. Ata i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama, që të mos pranojë dorëheqjen e Kernit.

“Vazhdimësia e tij është garancia e punës së artistëve në të ardhmen. Kjo garanci e bën edhe punën tuaj më të lehtë për të luftuar hatëret, nepotizmin dhe padrejtësinë që ngërthen kudo, por që me figura të pastra si Ilir Kerni të cilat janë aq të munguara në habitatin tonë, dhe si ishuj të vetmuar në ujërat e ndenjura të shoqërisë, dhurojnë shpresën që e ardhmja do jetë e ndryshme dhe më e mirë”, thuhet në peticion.

Peticioni i artistëve të TKOB-së, drejtuar kryeministrit Edi Rama:

“Drejtuar kryeministrit të vendit, z. Edi Rama

I nderuar zoti kryeministër, ne artistët e TKOBAP të përkushtuar me punën në vështirësitë e përditshmërisë së jetës dhe në sakrificën e të bërit art në kushtet aq të vështira të realitetit ekonomik, por të dakortësuara nga komuniteti, kemi arritur të mbajmë ndezur dhe madje shumë lart përpjekjen e arritjes së cilësisë në nivele të jashtëzakonshme suksesi. Në këto arritje kontribut të vyer dhe shembull motivues i pakrahasueshëm është drejtori ynë z. Ilir Kerni.

Prandaj me përulësinë e artistit, ju kërkojmë të mos firmosni kërkesën për dorëheqje të drejtorit tonë. Vazhdimësia e tij është garancia e punës së artistëve në të ardhmen. Kjo garanci e bën edhe punën tuaj më të lehtë për të luftuar hatëret, nepotizmin dhe padrejtësinë që ngërthen kudo, por që me figura të pastra si Ilir Kerni të cilat janë aq të munguara në habitatin tonë, dhe si ishuj të vetmuar në ujërat e ndenjura të shoqërisë, dhurojnë shpresën që e ardhmja do jetë e ndryshme dhe më e mirë.

Prandaj lutemi ta pranoni kërkesën që puna dhe ndershmëria të triumfojë mbi pandershmërinë, mediokritetin, nepotizmin dhe klientelizmin, që nuk ka gjetur vend deri tani në institucionin e TKOBAP. Prandaj mos ta thyejmë Ilirin, se ai është personifikimi i shembullit unik i pastërtisë në institucionet tona. Na jepni shpresë neve dhe shoqërisë Shqiptare në këto momente të vështira ku gjithmonë " e keqja" triumfon”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat