Vazhdon problemi i deponisë së egër në Strugë

Struga

Vazhdon problemi i deponisë së egër në Strugë

Më: 7 janar 2018 Në ora: 08:36
Deponia në Strugë

Ky vit për banorët e Strugës do të kalojë në pritje të realizimit të premtimeve nga autoritetet qendrore dhe lokale për zgjidhjen e problemit me deponinë jolegale. Qeveria e ka ndërprerë marrëveshjen me kompaninë që paraprakisht ishte zgjedhur përmes shpalljes publike, e cila duhet të bënte seleksionimin dhe transportimin e mbeturinave të Strugës në deponinë Drislla.

“Marrëveshja është ndërprerë meqë nuk i kanë përmbushur obligimet, ndërsa mjetet nuk janë paguar. Në këtë moment është duke u kërkuar zgjidhje”,  tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko për Alsat M deklaroi se së shpejti do të shpallet tender për përzgjedhjen e ndërmarrjes së re. Nga nisma qytetare “Mjaft më!” shprehen se pas vendimit të Qeverisë në korrik të vitit 2017 për përballje emergjente me deponinë e paligjshme të Strugës, nuk është realizuar asgjë nga kjo.

“Bëj thirrje që të lihen anash të gjitha interesat partiake në kontekst të zgjidhjes së problemit me deponinë e paligjshme të Strugës. Në të kundërtën banorët e Strugës sivjet do të jenë viktima të djegies së deponisë në atë moment kur elitat politike do të ndjejnë rastin përmes djegies të deponisë të fitojnë ndonjë pikë politike”, tha Gligorie Qatoski, Nisma “Mjaft më!”.

Nga organizata joqeveritare “Struganët për Strugën” kërkojnë që shteti ta marrë përsipër menaxhimin e deponive meqë aktivitetet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultate. Nga Qeveria për Alsat M konfirmuan se janë duke shqyrtuar mundësinë që ata të marrin përsipër menaxhimin e mbeturinave të forta në shtet.

Kjo mundësi është duke u shqyrtuar meqë deponitë rajonale do të ishin obligim i shtetit dhe do të jenë në favor të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Ky proces megjithatë ende nuk ka filluar, ndërsa do të vijojnë konsultime me vetëqeverisjet lokale gjatë periudhës së ardhshme- tha Mile Boshnjakovski. zëdhënës i Qeverisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat