Fortesa pretendon medalje në Japoni

Sporti

Fortesa pretendon medalje në Japoni

Nga: Kemajl Goca Më: 8 tetor 2018 Në ora: 17:11
Fortesa Orana

Kombëtarja e Kosovës është para një sfide të vështirë, në garat e Premier Leagues në karate, që mbahen në fundjavë përkatësisht nga data 12-14 tetor në Tokio të Japonisë. Karateistja e dalluar Fortesa Orana  është përgatitur maksimalisht për sfidën në Premier League, por sipas saj, është edhe një test i fuqishëm para Kampionatit Botëror, që do të zhvillohet në fillim të muajit nëntor (6-11 nëntor) pikërisht në kryeqytetin spanjoll, Madrid.  

Image

Fortesa tha se  Premier League është një garë shumë më rëndësi dhe luftohet edhe për pikë olimpike. “Është garë e fortë dhe luftohet për pikë olimpike. Normalisht përgatitjet kanë qenë të mira dhe jemi përgatitur shumë për këtë garë, e cila është një test i mirë para Kampionatit Botëror që mbahet në Madrid”, tha për gazetën kombëtare  “Bota sot”, Fortesa.  Karateistja nga Gjilani që i mbron ngjyrat e klubit nga kryeqytetit i Kosovës, Ippon, pretendon të fitojë medalje. Ajo ka deklaruar se ka njohuri për garën në Tokio dhe shpreson të kthehet edhe me medalje. “E para, synoj të jap maksimumin për mbledhjen e sa më shumë pikëve për normë olimpike.

Image

Sigurisht që synoj medalje. Forma ime është shumë e mirë dhe lutem të kemi edhe fat”, ka thënë Fortesa.  Premier League është garë shumë e fortë, këtë e thotë edhe Fortesa: “Janë garuesit më të mirë, pra 50 prej më të mirëve. Unë jam e 37-ta në ranglistën botërore, ndërsa synoj të ngritëm edhe më lart. Pjesëmarrësit i njoh, me shumë prej tyre edhe kam luftuar në arenë. Besoj se kësaj radhe suksesi do të jetë edhe më i madh”.  Fortesa e vlerëson edhe si provë të mirë garën në Premier League para Kampionatit Botëror: “Është e mirë Premier League sepse na shërben edhe me provuar veten para Kampionatit Botëror. Normalisht që mendojmë të kthehem me medalje edhe nga Botërori”. Ajo ka ndërruar kategorinë nga -68 kg ka kaluar në +68 kg.

“Është pak më vështirë se tani jam në peshën me të rëndë, megjithatë më përshtatet mua”, theksoi ajo.  Karateistja më e mirë në vendin tonë nuk i fsheh emocionet edhe për Kampionatin Botëror. “Normal se kam emocione sepse pas Premier League do të garojmë në ngjarjen më të madhe dhe pretendojmë më të mirën”, përfundoi Fortesa. Në orët e mëngjesit të ditës së martë (sot) do kombëtarja e Kosovës udhëton për në Japoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat