Melisa Zhdrella po përgatitet në Durrës, synon paraqitje të mirë në LOV

Sporti

Melisa Zhdrella po përgatitet në Durrës, synon paraqitje të mirë në LOV

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 15:05
Melisa Zhdrella po përgatitet në Durrës, synon paraqitje të mirë në LOV

Melisa Zhdrella është notarja e vetme që do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore për të rinj, Buenos Aires 2018, që mbahen prej 6-18 tetor në Buenos Aires të Argjentinës.
18-vjeçarja prej disa ditësh është duke u përgatitur në Durrës të Shqipërisë, falë mbështetjes që Komiteti Olimpik i Kosovës iu ka dhënë federatave për përgatitje jashtë vendit të sportistëve që do të përfaqësojnë vendin tonë në Buenos Aires 2018.
Krahas Zhdrellës, që është ftuar me ftesë, në LOV për të rinj, Buenos Aires 2018, do të marrin pjesë edhe: peshëngritësi Bleron Fetaovski, boksieri Erdonis Maliqi dhe atleti, Muhamet Ramadani, që po ashtu janë ftuar me ftesë për shkak të Univerzalitetit. E vetmja me normë Olimpike është xhudistja, Erza Muminoviq.
“Jemi duke stërvitur në qendrën stërvitore në Durrës, bashkë me trajnerin tim, Enver Hajredini. Stërvitjet po mbahen sipas planit, kushtet e pishinës janë në nivel. Jemi duke ushtruar dy herë në ditë dhe çdo gjë është në rregull”, thekson Zhdrella për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Image

Notarja e klubit Termopan do të garojë në disiplinën 50 metra krol, në të cilën synon të paktën të thyejë rekordin e Kosovës.
“Besoj që do të jem në formën time më të mirë deri para fllimit të Lojërave Verore Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018. Nëse gjithçka shkon sipas planit, unë besoj që do të kem paraqitje të mirë, ku së paku do të përmirësoj rekordin e Kosovës”, tha ajo.
Melisa ka gjasa të garojë edhe në disiplinën 50 metra bretkocë, për çka KOK është duke pritur konfirmim nga organizatori.

Zhdrella kishte përfaqësuar Kosovën edhe në Lojërat Evropiane Baku 2015. Komiteti Olimpik i Kosovës merr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike Verore për të rinj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat