Uashington, ekipi i hokejt në akull fiton kampionatin

Sporti

Uashington, ekipi i hokejt në akull fiton kampionatin

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 22:37
The Washington Capitals

Për herë të parë në 44 vjet Kupa Stanley vjen në Uashington, pas fitores dje të ekipit të hokejt në akull, The Washington Capitals kundër ekipit Vegas Golden Knights. Ndeshja u zhvillua në Las Vegas, por kryeqyteti amerikan ishte i mbështjellë në ngjyrat e ekipit, ndërsa tifozët ndiqnin nga klube e restorante finalen emocionuese.

Mijëra tifozë ishin mbledhur brenda dhe jashtë arenës së hokejt në Uashinton për të ndjekur ndeshjen që po zhvillohej në Las Vegas dhe pasi u bë e ditur fitorja, tifozët u derdhën në rrugë dhe filluan festimet që zgjatën gjithë natën.

“Qyteti e meriton këtë fitore. E bukura e kësaj fitoreje është se po na bashkon. Kishim nevojë për këtë. Sidomos në këtë klimë ku ka shumë përçarje, ky ishte një moment fantastik,” thotë tifozi Alex Lagos.

“Jam 31-vjeçe. E kam pritur këtë ditë që kur isha gjashtë vjeçe. Kam qarë ndoshta tre herë sot, jam shumë e gëzuar,” thotë tifozja Taylor Welch.

Kapiteni i ekipit Alex Ovechkin, i cili u shpall si lojtari më i mirë i kampionatit foli për krenarinë që ndjen për fitoren, pas 13 sezonesh me ekipin e Uashingtonit:

“Më duket si ëndërr. Ishte një sezon i gjatë dhe i vështirë, luftuam shumë, punuam shumë gjithë këto vjet. Punuam si ekip, u dhamë me shpirt pa menduar se si do të dalë në fund. Nuk ramë në panik. Pas pjesës së tretë të ndeshjes e dinim se duhet të vazhdonim që ta çonim deri në fund.”

Lojtari T.J.Oshie nuk i kontrollonte emocionet pas fitores:

“Këtë fitore ia dedikoj familjes, dy vajzave të mia. Tani emri im do të jetë i lidhur me një moment të shënuar dhe vajzat do ta dinë se babi luante hokej kur ato ishin të vogla. Ia dedikoj edhe babait që ka alcajmer. Ai po humbet gradualisht memorien, por mendoj se këtë moment nuk ka për ta harruar”.

Fitorja e ekipit The Washington Capitals dje në kampionatin e hokejt në akull përkoi me 40-vjetorin e të vetmit titull kampion që ka marrë ekipi i basketbollit i kryeqytetit amerikan.

Për disa ditë me radhë pritet që në Uashington të mbisundojë ngjyra e kuqe e ekipit të hokejt, në pritje për kthimin e ekipit nga Las Vegasi së bashku me kupën Stanley që do të shoqërohet me festime masive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat