Diellza Kolgeci tregon për jetën në kick-boks: Sportin nuk do e lë deri në fund të jetës

Sporti

Diellza Kolgeci tregon për jetën në kick-boks: Sportin nuk do e lë deri në fund të jetës

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 4 qershor 2018 Në ora: 19:03
Diellza Kolgeci

Aktorja dhe modelja e mirënjohur e Kosovës, Diellza Kolgeci, ka dashuri të madhe për sportin dhe sipas saj, pa sport jeta është e pakuptimtë! Diellza si sport të preferuar e ka skijimin, me shpirt e do tenisin, në zemër e ka notin, me kënaqësi shkon në Hiking, me ëndje shikon basketbollin, por me fanatizëm organizon edhe aktivitete sportive qoftë në tenis qoftë në atletikë etj. 

Diellza thotë se do të ketë kohë për ta përcjellë në ekrane televizive edhe Kampionatin Botëror – “Rusia 2018” në futboll, ku është një tifoze e Zvicrës, për faktin se në petkun e saj paraqiten edhe shqiptarët Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka e Blerim Xhemaili.  Aktorja ka ushtruar edhe në karate, edhe në kick-boks, por dikur ka qenë edhe merakli e shpejtësisë me makinë, por tani është më e kujdesshme, i respekton rregullat e komunikacionit! 

Image

Diellza në kick-boks

Diellza është e ngarkuar shumë me aktivitete profesionale, por këtë herë tërë energjinë e shpenzon në organizimin e minimaratonës – 5 kilometra në atletikë. Me një fjalë, Diellza vjen nga një familje sportistësh, sepse vëllai i saj Edi, është kryetar i KH Prishtina. Diellza flet pa dorëza për gazetën kombëtare “Bota sot”, duke treguar për sfidat e saja në sport dhe kujton edhe fëmijërinë e saj, kur kishte garuar në Kampionatin e Kosovës në skijim dhe kishte arritur sukses bajagi të mirë!

“Bota sot”: Si fëmijë, në moshën 8-9 vjeçare, iu rreket skijimit, në klubin ‘Cicibani’, a ishte sprovë për Ju?

Diellza Kolgeci: Unë për herë të parë me skijim fillova në moshën trevjeçare, pastaj rreth moshës 8 për herë të parë garova dhe zura vendin e 3-të, ishte një emocion shumë i bukur në at kohë për mua sepse ishte hera e parë të garoj.

Image

Diellza si fëmijë në garat e Kosovës në skijim

“Bota sot”: Përse iu tërhoqi më së shumti skijimi në moshën 8-9 vjeçare?

Diellza Kolgeci: Në at moshë unë jam marr me disa sporte edhe noti ishte i preferuari im, por që skijimi me jepte ndjenjën më të veçantë, edhe tani skijimi mbetet sporti i preferuar imi.

“Bota sot”: Pak din që Diellza është marrë edhe me sporte luftarake konkretisht me kick-boks. Sport i vështirë?

Image

Diellza në tenis

Diellza Kolgeci: Unë kam ushtruar edhe në karate një kohë, por me kick box për herë të parë fillova në New York në vitin 1999, pastaj në Prishtinë herë pas here e kam praktikua në ndonjë fitnes më pëlqen sepse më duket se e gjitha energjia negative mbetet në thes.

 ‘Bota sot”: Si u frymëzove që të merreni me kick-boks apo si rrjedhojë që kishit goditje të forta, si dhe çfarë iu veçojë në disa raste?

Diellza Kolgeci: Si e vogël e kam dashtë boksin dhe ne at kohe Aziz Salihu ishte në top formë dhe me kujtohet kur shkova me babin më e pa në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ndërsa në New York të ushtroja diçka që nuk kam provua dhe kështu fillova me kick-boks.

Image

Diellza gjatë vallëzimit

“Bota sot”: Mund ta veçoni ndonjë duel që nuk e harroni për të mirë ose për të keq?

Diellza Kolgeci: Ahhaahahha për fat të mirë duele të këqija nuk kam, pasi që më shumë e kam praktiku për qejfi domethënë vet apo me ndonjë trajner timin.

“Bota sot”: Tenisi një nga sportet më atraktive, pak i popullarizuar në vendin tonë. Disa herë sprovuat veten edhe në këtë sport.

Image

Diellza në hiking

Diellza Kolgeci: Po, tenisi më pëlqen shumë dhe herë pas here e praktikoj, unë jam edhe organizatore, ideatore e turneut “Vip tournament tenis” së bashku me Granit Bajraliun dhe mikeshën time Afërdita Paçarada ku marrin pjesë fytyra publike nga profesione të ndryshme, të cilët garojnë mes vete dhe është një organizim shumë i lezetshëm ku të gjithë kalojmë shumë mirë, ka edhe shumë nga ata që kurrë më parë nuk janë marr me ndonjë sport e lë më me tenis.

 “Bota sot”: Diellza shihet shumë herë në aktivitetet e Hiking-ut, a keni pasur momente të vështira gjatë këtij rrugëtimi, në vende të panjohura e me ndonjë rrezik të madh?

Image

Diellza Kolgeci: Hiking me pëlqen shumë, pasi që e adhuroj natyrën, nuk kam pas ndonjë rrezik por që ka pas raste që në kthim nga bjeshka, rrugët janë vështirësua dhe ndonjëherë dhimbjet në këmbë mund të rriten sepse edhe janë shumë kilometra në pyetje.

 “Bota sot”: Disa herë keni organizuar aktivitete të atletikës siç është tani me garën që mbahet me 10 qershor në Prishtinë, Minimaratona – 5 kilometra, me të hollat që do të mblidhen i ndihmoni sportistët e rinj. Për cilët sportistët të rinj e keni fjalën?

Diellza Kolgeci: Është viti i 4-të që me Afërditën e organizojmë minimaratonën, ku përveç që sensibilizojmë shoqërinë për një jetë të shëndetshme në çdo vit zgjedhim një temë për të sensibilizua një çështje dhe kështu ndihmojmë një grup të shoqërisë dhe gjitha të hollat nga shitja numrave shkojnë për ta sivjet. Minimaratona do të mbahet me 10 qershor dhe të gjitha të hollat nga shitja e numrave do të shkojnë për disa sportist të rinj që kanë talent por nuk i kanë mundësitë për të zhvilluar aktivitetet e tyre.

Image

“Bota sot”: Sprovuat veten në shumë sporte, cili ka qenë më i lezetshëm, më i mundimshëm, me neveritës, por edhe ndonjë befasi e papritur?

Diellza Kolgeci:  Të gjitha sportet me pëlqejnë, vitin e kaluar për herë të parë kam provuar kite një sport ujorë që ishte goxha i rëndë sidomos për fillestaret, por shume i lezetshëm dhe atraktiv dhe më ka pëlqyer shumë, por dua të veçoj edhe kangoo dance që këtë vit më shpesh e kam praktikua një sport i ri në vend dhe shumë i lezetshëm.

“Bota sot”: Diellza vjen nga një familje sportistësh, prindi Remziu është marrë me sport, nëna me gjimnastikë, ndërsa Edi tani është kryetar i KH Prishtina. Një familje që jeton me sport apo jo?

Diellza Kolgeci:  Po e gjithë familja kemi qenë mjaft aktiv në shumë sporte si prindërit po ashtu edhe vëllezërit e mi. Edi me profesion është stomatolog por në të kaluarën është marr me shumë sporte por edhe me hendboll me profesionalisht, ndërsa këtë vit ai pranoi të udhëheq KH Prishtinën dhe mendoj që me shumë dashuri e vullnet ka arrit të bëj një punë shumë të mirë duke marr parasysh kushtet dhe gjitha problemet Prishtina me lojtarë vendorë arriti sukses. Domethënë e gjithë familja jemi dashamirë të sporteve, unë mund të them që jam më aktive.

 “Bota sot”: Cilin sport e përcjellë me shumë pasion e cilin me drithërima dhe cilin nuk do me pa me sy?

Diellza Kolgeci: Tenisin e kam përcjell derisa kam qenë në New York, kam qenë prezente në “US Open” dhe e përcjelli me kënaqësi po ashtu basketbollin sa herë që jam në New York e përcjelli me shumë kënaqësi, ndërsa në Prishtine me pasion e përcjelli basketbollin pasi që zhvillohen lojë të mira dhe atmosfera është shumë e mirë.

Image

Diellza fitnes

“Bota sot”: Cilin klub e simpatizoni dhe cilin sportist e keni idhull?

Diellza Kolgeci:  Pasi jam e lindur e rritur në Prishtinë dhe jam e lidhur shumë me Prishtinën, normal që e simpatizoj Prishtinën por nuk do e kisha veçuar ndonjë sportist sepse kam shumë miq në sporte të ndryshme.

“Bota sot”: A kanë të përbashkët aktrimi dhe sporti?

Diellza Kolgeci:  Ndoshta e përbashkëta do të mundë të ishte kondicioni dhe durimi.

“Bota sot”: Një ëndërr e parealizuar në sport?

Diellza Kolgeci:  Nuk është që kam ndonjë ëndërr të parealizuar në sport, por që mendoj që nëse do të merresha profesionalisht me ndonjërin nga këto sporte do të kisha suksese, ashtu besoj.

“Bota sot”: A keni provuar të jeni edhe në sportin e automobilizmit apo nuk iu pëlqejnë makinat?

Diellza Kolgeci: Unë ngas makinën qysh nga mosha 15-vjeçare dhe jam goxha e mirë. Përpara më ka pëlqye shumë shpejtësia dhe i kam hap garat në Prishtinë në vitin 2001, por tani nuk më pëlqen me shpejtësia.

“Bota sot”: Për kë do të bëni tifo në Kampionatin Botëror – Rusia 2018’ në futboll?

Diellza Kolgeci: Nuk jam aq person që shoh futbollin, por tifo bëj për Anglinë, Gjermaninë dhe Zvicrën, pasi për Zvicrën luajnë shumë shqiptarë.

 “Bota sot”: Së fundi Diellza edhe në garat e bilderëve, si kontribuuese apo mysafire speciale?

Diellza Kolgeci: Unë isha mysafire speciale dhe shkova që t’i përkrah këta sportistë e në veçanti femrat konkurruese.

“Bota sot”: Si iu shohin sportistët në aktivitetet e ndryshme sportive, me një sy simpatie apo xhelozie kur e din se jeni aktore e mirënjohur. A ju xhelozojnë tenistet (femra) kur i rivalizoni në fushë?

Diellza Kolgeci: Hahahaah, nuk e besoj që xhelozojnë kur merrem me sport as nuk i shoh as nuk i ndjej negativitetin.

 “Bota sot”: Cilat janë planet e Diellzës për vitin 2018?

Diellza Kolgeci: Përpos minimaratona që do të mbahet me 10 qershor kur të gjitha mjetet e grumbulluara nga shitja e numrave, që është vetëm 2 euro do të shkojnë për sportist të rinj dhe fillon prej orës 11.00 mbas, maratonës kemi organizimin e turneut në tenis dhe pastaj projektet tjera.

“Bota sot”: Me cilin sport do ta kishit ndërruar profesionin e aktores?

Diellza Kolgeci: Nuk e di por që sportin jam e sigurt që nuk do e lë deri në fund të jetës, andaj me të do të jam gjatë.

“Bota sot”: Momenti më i mirë në jetë si pjesëmarrëse në shumë aktivitete sportive dhe më dëshpëruese?

Diellza Kolgeci: Fal Zotit, dëshpëruese nuk kam por momente të mira ka shumë, do të veçoja momentet e sukseseve të organizimeve që kanë të bëj me sportin.

“Bota sot”: Shumë aktivitete të ngjeshura, angazhime profesionale në rolin e aktores, ku e gjeni gjithë at forcë, energji apo kohë që të merreni edhe me sport ose sa shpirta i ka Diellza sepse për dikë është e papërballueshme gjithë ky ritëm?

Diellza Kolgeci: Dita i ka 24 orë, andaj nëse ke dëshirë, vullnet, energji pozitive, mendoj që mundesh të bësh shumë gjëra, unë njihem si person shumë energjik, por edhe me pëlqen të merrem me shumë aktivitete sepse me bëjnë të ndjehem mirë.

 “Bota sot”: Diellza me shumë sporte, a keni planifikuar si aktore të prodhoni disa seriale apo filma artistik për jetën e sportistëve në vendin tonë në periudha të ndryshme?

Image

Diellza Kolgeci: Unë nuk e kam menduar por nëse dikush do të kishte ndonjë ide të veçantë dhe serioze do të kisha ndihmuar.

“Bota sot”: Cila është porosia për gjeneratat e reja, më mirë t’i rreken sportit apo aktrimit?

Diellza Kolgeci: Aktrimi është diçka që lidhet me talentin dhe se nuk është patjetër të merren gjithë me aktrimin por për sport i preferoj të gjithë të merren pavarësisht profesionit, moshës sepse sporti ndikon direkt në shëndetin tonë, andaj sporti te unë ka vend të veçantë dhe luan rol të rëndësishëm. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat