Berisha kërkon hetim nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për KOK-un

Sporti

Berisha kërkon hetim nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për KOK-un

Nga: K.G. Më: 18 maj 2018 Në ora: 15:11
Letra që ka dërguar Berisha

Durim Berisha, sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Taekwondos, i ka shkruar letër Thomas Bach, kryetarit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. “Duke marrë parasysh se kanë kaluar mbi dy (2) vite qëkur kemi kërkuar nga institucionet relevante të cilat janë kompetente të mbikëqyrin Komitetin Olimpik të Kosovës, dhe heshtjen e institucioneve vendore (apo më mirë të them bashkëpunimin e tyre me abuzuesit e KOK), sot kam përgatitur kërkesën për hetim, e cila ju dërgohet organeve kompetente brenda Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Ndër të tjera, KON do të njoftohet: 1. Për procesin e manipuluar dhe të kundërligjshëm zgjedhor, përmes të cilit në krye të KOK kanë ardhur përfaqësues të politikës, krimit dhe persona që përfaqësojnë federata fictive të cilët nuk kanë asnjë lidhje me sportin.

2. Se KOK udhëhiqet nga një i dënuar me katër (4) vite e gjysmë burgim efektiv.

3. Nënkryetari i parë i KOK është imponuar në këtë pozitë në kohën sa ka qenë ministër në Qeverinë e Kosovës, ndërsa sot është deputet.

4. Në përbërjen e Bordit të KOK ka punëtorë të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

5. Sekretari i Përgjithshëm i KOK është zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme në këtë pozitë, pasi më herët ishte zgjedhur kundërligjshëm në pozitën e nënkryetarit të KOK (duke qenë në atë kohë këshilltar i ministrit).

6. Kundër Sekretarit ilegal të KOK është deponuar kallëzim penal për falsifikim nënshkrimi dhe ndërhyrje në procesin gjyqësor (fshehje të shkresave të gjykatës).

7. Abuzime financiare të mjeteve të KOK dhe ndarje e kundërligjshme e pagave për personat që sipas Kartës Olimpike nuk mund të kenë pagë fikse.

8. Shkelja e të drejtave të sportistëve dhe federatave të sportit, duke përdorur lidhjet e tyre politike.

9. Kontrabandimi i personave ilegalë, në cilësinë e përfaqësuesve të federatave të sportit.

Këto dhe shumë shkelje të tjera, do të kërkohet të hetohen nga KON.

Është për keqardhje të detyrohesh t’i drejtohesh institucionit më të lartë sportiv në botë, si rezultat i heshtjes së institucioneve vendore.

Kosovën nuk po e shkatërron askush tjetër, përpos bartësve të funksioneve publike të cilët përpos që nuk janë në krye të detyrës, bashkëpunojnë me abuzuesit”, tregon Berisha për letrën që i ka dërguar KON-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat