A do të ketë paqe mes Federatës së Mundjes së Kosovës dhe Komitetit Olimpik?

Sporti

A do të ketë paqe mes Federatës së Mundjes së Kosovës dhe Komitetit Olimpik?

Nga: Kemajl Goca Më: 16 mars 2018 Në ora: 12:55
Ilustrim

Debate

Përplasjet mes Federatës së Mundjes së Kosovës dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, nuk janë as të ditës së sotme, as të javës së kaluar, por janë qe një kohë mjaft të gjatë.  Përplasjet e fundit japin sinjale se gjithnjë e më shumë po armiqësohen këto institucione mes vete. Përplasja vije pasi që Federata e Mundjes e Kosovës e ka akuzuar KOK-un që nuk po i trajton si duhet,  ndërsa kjo e fundit përmes fakteve të saja i justifikon të gjitha!  Në anën tjetër edhe Federata e Mundjes e Kosovës paraqiti faktet e saja.  Mundja nuk është e para herë që bojkoton pjesëmarrjen në aktivitetet e KOK-ut sidomos së fundi nuk shkoi në ceremoninë e shpalljes së më të mirëve. FMK doli me akuza të rënda ndaj institucionit më të lart të vendit, sipas tyre mundësi më i mirë në vend, Edon Shala, po kërcënohet e dëmtohet nga ana e KOK-ut!

“Zyra për media e KOK-ut lansoj një të pavërtetë në opinion se gjoja mundësi Edon Shala është mbështetur nga KOK nga muaj shtator i vitit 2017 me nga 250 dollarë ne muaj si përfitues i bursës olimpike Tokyo 2020. Nga  muajit shtator deri sot janë  194 dite Edon Shala nga KOK është  mbështetur me nga 2.65 cent ne dite. Për njohësit  e sportit kjo shume e alokuar nga KOK është qesharake për  tu përgatit për ta fituar normën olimpike”, ishin ankuar nga FMK. Por edhe KOK-u paraqiti faktet e saja, duke thënë: “Edon Shala ka nënshkruar dy kontrata me KOK-un. Njëra është 150 dollarë në muaj, të cilat KOK -u i ka siguruar nga Solidariteti Olimpik i KON-it, dhe kontratën tjetër në vlerë 100 euro nga KOK-u. Deri më tash, Edoni ka arsyetuar vetëm njërën pjesë, atë të siguruar nga 150 dollarë në muaj nga SO i KON-ut, të cilat i janë paguar nga shtatori i vitit të kaluar, kurse pjesën tjetër nga 100 euro, nuk ka mundur ta arsyetojë ende në mungesë të faturave të shpenzimeve, të cilat duhet të jenë të rregullta dhe jo në formë paragonësh.

Para dy javësh, KOK e ka njoftuar Edonin për t'i sjellur faturat, por ai as që është përgjigjur". Këto përplasje nuk shkojnë në favorin e askujt e aq me pak të asociacioneve sportive. A do të ishte e rrugës që FMK të ulet e të bisedojë në detaje me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjejnë paqen. Të futen në bisedime dhe t’ia shtrijnë dorën e pajtimit njëra – tjetrës. Sepse informacionet tona tregojnë, përveç përplasjeve profesionale nëse mund t’i quajmë në thonjëza profesionale, ka zyrtarë të FMK-së e të KOK-ut që nuk flasin njëri  me tjetrin.  Inatet, akuzat dhe mosmarrëveshjet t’i lënë anash dhe t’i grahin punës për të mirë të sportit. Përplasjet e mëdha janë të dëmshme sidomos për vetë sportistët. Besim Hasani, kryetar i KOK-ut dhe Naim Muja, kryetar i FMK-së, duhet të gjejnë një formulë mes vete dhe t’i tejkalojnë këto çarjet shumë të thella.

Situata është e rëndë dhe më së miri u pa në ditët e fundit me akuza e kundërakuza. Kosova ka më shumë se kurrë nevojë për sportistë të mëdhenj dhe assesi për mosmarrëveshjet e aq me tepër mes institucioneve.  Fitorja më e madhe do të ishte sikurse FMK e KOK t’i lanë anash të gjitha këto që ndodhën në ditët e fundit. Mbi të gjitha janë sportistë dhe çelësin të dy palët e kanë në duart e tyre për të zgjedhur të gjitha pakënaqësitë që kanë. Kjo situatë gjithnjë e më shumë po merr përmasa për të keq. Sot nuk i duhen askujt armiqësitë, por sot duhet të kemi më shumë miq sportivë dhe të gjejnë një pajtueshmëri mes vete FMK e KOK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat