Kaloi 42 ditë i vetëm në det, por për francezin Francois Gabart ishte një kohë që kaloi shumë shpejt, ndërsa vendosi rekord të botës për lundrimin më të shpejtë rreth botës i vetëm.
Gabart 34-vjeçar u nis nga Ouessanti, në bregun perëndimor të Francës, më 4 nëntor dhe lundroi rreth botës 27,859 milje. E gjitha përfundoi për 42 ditë, 16 orë, 40 minuta e 35 sekonda, shkruan CNN.
Gabart theu për gjashtë ditë rekordin që e kishte vendosur bashkëkombasi i tij Thomas Colville në vitin 2016.
Në të vërtetë koha e Gabartit është e dyta më e shpejta për lundrim rreth botës, nëse merren për bazë edhe lundrimet në ekip.
Francis Joyon dhe skuadra e tij prej pesë personave me varkën gjigante IDEC Sport, kishte lundruar rreth botës për 40 ditë e 23 orë në janar të vitit 2017. Por rasti i Gabartit është tjetër. Ai e bëri lundrimin vetëm.
Gabart kishte kushte të favorshme atmosferike përgjatë garës dhe kaloi në vijën e finishit mes Ouessantit dhe Lizar Point në bregun jugperëndimor të Anglisë të dielën.