FSUnK shënoi Ditën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare

Sporti

FSUnK shënoi Ditën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 18:00
FSUnK shënoi Ditën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare

Federata e Sporteve Universitare e Kosovës (FSUnK) ka shënuar për herë të parë 20 shtatorin, Ditën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare, me mbështetje të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Në një ceremoni të organizuar në Palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, morën pjesë drejtuesit  Komitetit Olimpik të Kosovës, të qeverisë, Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, presidenti i Federatës Së Sporteve Universitare të Shqipërisë (FSUSH), z. Besnik Veliu, profesorë dhe sportistë.
Presidenti i FSUnK-së, z.Musa Selimi foli për formimin e kësaj federate në mars të këtij viti, pranimin në Federatën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare (FISU) të bërë më 17 gusht 2017. Ai kërkoi mbështetje nga qeveria dhe tha se ideja e themelimit të kësaj federate dhe shënimit të kësaj dite është që rinia studentore të vetëdijësohet dhe të merret edhe me sport.
Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe presidenti i KOK-ut, z.Besim Hasani, i cili 2017-tën e quajti vit të rëndësishëm për sportin universitar, pasi brenda këtij viti u themelua FSUnK-ja, e cila po ashtu u anëtarësua në FISU. Sipas tij, formimi i kësaj federate ishte pjesë e planit strategjik dhe misionit të KOK-ut, pasi KOK ishte nismëtar për themelimin e kësaj federate.
Presidenti i FSUSH-së, z.Besnik Veliu theksoi se bashkarisht me z.Selimi janë pajtuar të formojnë Ligën Studentore Universitare Shqipëri – Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat