E zë "mallkimi" i Shqipërisë, FIFA “djeg” Mërgim Brahimin

Sporti

E zë "mallkimi" i Shqipërisë, FIFA “djeg” Mërgim Brahimin

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 13:43
Mërgim Brahimi

Dikur ishte në planet e Shqipërisë dhe ai refuzonte për të luajtur me Zvicrën. Tashmë, ai ka zgjedhur të luajë me Kosovën, mirëpo FIFA e ka refuzuar këtë kërkesë. Kosova ka marrë një lajm negativ nga institucioni i futbollit për njërin nga lojtarët e saj më të mirë, Mërgim Brahimin.

Mesfushori i avancuar po kalon një formë të mirë me skuadrën e tij Grasshoper duke luajtur të gjitha ndeshjet këtë edicion. Por, dje, ka ardhur përgjigjja negative nga FIFA, e cila ia ka ndaluar Brahimit të luajë për Kosovën.

“Telegrafi” ka bërë me dije se diçka e tillë ka mbërritur në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës, duke bërë që ky lojtar të mos ketë të drejtë që të jetë në ekipin e drejtuar nga Albert Bunjaku.

“Për faktin që Mërgim Brahimi ka luajtur me Zvicrën, Shqipërinë dhe është rikthyer përsëri te Zvicra, e ka të pamundur që të luajë në ndeshje zyrtare me Kosovën. Jemi në dijeni që FFK po mundohet në të gjitha mënyrat për ta bërë të mundur aktivizimin e Mërgimit, por kjo gjë ka pak shanse të ndodhë”, thotë ky burim i “Telegrafit”.

Brahimi kishte zhvilluar 10 ndeshje për Shqipërinë U-21 dhe një për ekipin e parë para se të kthehej te Zvicra U-21 ku zhvilloi 11 ndeshje të tjera. 24-vjeçari ka qenë njëri nga lojtarët kyç te përfaqësuesja e Kosovës dhe shpeshherë ka ditur të dhurojë spektakël me topin në fushë.

Përgjigje negative FIFA i kishte dhënë Brahimit edhe para ndeshjes me Ishujt Farore, ku Kosova triumfoi me rezultat të pastër 2-0. Me sa duket, Brahimin po e ndjek mallkimi i Shqipërisë dhe refuzimi që ai u bëri kuqezinjve për Kombëtaren helvete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat