Drama e zyrtarëve të FSHF-së, ja nenet që penalizuan kuqezinjtë

Sporti

Drama e zyrtarëve të FSHF-së, ja nenet që penalizuan kuqezinjtë

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 08:16
Duka, FSHF

Në mesditën e djeshme, FIFA ka publikuar vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës.

Institucioni më i lartë i futbollit ka ndëshkuar Shqipërinë për miqësoren e zhvilluar me Luksemburgun më 29 mars 2016, duke e humbur ndeshjen në tavolinë me rezultatin 0-3, për shkak të aktivizimit të Ergys Kaçes, i cili një miqësore më parë (Austri-Shqipëri), u ndëshkua me karton të kuq.

Kjo neglizhencë apo paaftësi e zyrtarëve të FSHF-së i ka kushtuar kësaj të fundit edhe një gjobë prej 7500 frangash zvicerane në lidhje me këtë shkelje të bërë.

Vendimi – Në Kodin e Disiplinës Sportive (KDS) të FIFA-s, është artikulli (neni) 55/2 ai që ka prekur kuqezinjtë dhe në bazë të të cilit është marrë vendimi i FIFAs.

“FSHF-ja është ndëshkuar për përfshirjen në ndeshje të një lojtari që nuk mund të luajë. Në miqësoren e luajtur kundër Luksemburgut më 29 mars 2016.

Rezultati do të zhvlerësohet dhe Shqipëria do ta humbasë në tavolinë 3- 0 në favor të Luksemburgut si dhe FSHF-ja gjobitet me 7500 franga zvicerane nga Komiteti Disiplinor i FIFA-s që ka zbatuar artikullin 55 në pikën 2 të Kodit Disiplinor të FIFA-s.

Sanksioni i referohet Ergys Kaçes, i cili nuk ka shlyer pezullimin automatik me një ndeshje, pasi është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen miqësore Austri-Shqipëri më 26 mars 2016”, shkruhej në vendimin e FIFA-s.

Nenet – Është artikulli 17 në pikën e dytë që saktëson se çfarë ndodh me një lojtar nëse ndëshkohet dy herë radhazi me karton të verdhë.

“Dy ndëshkime të marra (indirekt karton i kuq) brenda një ndeshjeje sjellin përjashtimin direkt nga sfida dhe për pasojë pezullimin automatik për aktivizim në sfidën pasardhëse të të njëjtit kompeticion”, është pika e rregullores që saktëson se Kaçe nuk duhet të ishte aktivizuar.

Në nenin 18, pika 4, saktëson se çfarë ndodh me një pezullim për takime që janë brenda të njëjtit aktivitet. “Një përjashtim nga ndeshja (kartoni i kuq) sjell automatikisht pezullimin për takimin pasardhës, edhe nëse ndërmerret në një ndeshje që më vonë shpallet e braktisur, e anuluar dhe/ ose e zhvlerësuar”./panorama

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat