Hajduk në gjurmët e Herdi Prengës

Sporti

Hajduk në gjurmët e Herdi Prengës

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 00:47
Herdi Prenga

Në mbylljen e merkatos së verës më 31 Gusht, kur do të festojë edhe 22-vjetorin e lindjes, Herdi Prenga mund të marrë si dhuratë transferimin te Hajduku i Splitit.

Mbrojtësi i Kombëtares Shpresa nuk luan prej thuajse një muaji në radhët e NK Lokomotivës, situatë e cila e shtyn të largohet nga klubi satelit i Dinamos së Zagrebit, pas dy sezoneve ku numëron afro 60 ndeshje.

Mediat kroate njoftuan se drejtuesit e Hajdukut janë në kërkim të përforcimit të mbrojtjes dhe Prenga është në listën e dëshirave për qendrën e mbrojtjes.

Nga ana e tij, edhe djaloshi i lindur në Zadar, por që zgjodhi të përfaqësonte ngjyrat kuqezi pasi kishte kaluar në të gjitha skuadrat e moshave të Kroacisë, është në kërkim të një sfide të re në karrierë.

Nëse kalimi i Herdi Prengës te Hajduku i Splitit do të realizohej, ai do ti shtohej listës së futbollistëve shqiptarë në repartin difensiv të skuadrës, ku në fillim të këtij sezoni janë afruar 24-vjeçari kavajas, Hysen Memolla dhe 19-vjeçari Ardian Ismajli.

Transferimi do ti shërbente edhe lojtarit, që kërkon një skuadër ku të vazhdojë të rritet dhe ti garantojë aktivizim, për të tentuar më pas të bëjë hapin e madh, duke iu bashkuar Kombëtares së drejtuar nga trajneri Gianni De Biasi gjatë kualifikueseve të Botërorit 2018.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat