Edoardo Defendi, një sulmues italian për Teutën

Sporti

Edoardo Defendi, një sulmues italian për Teutën

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 23:30
Edoardo Defendi

Një sulmues italian për Teutën. Edoardo Defendi është emri i lojtarit që sipas mediave italiane ka marrë një ofertë nga durrsakët, për të vazhduar karrierën në Kategorinë Superiore.

24-vjeçari ka qenë gjithmonë një futbollist i cilësuar me të ardhme. I rritur në radhët e Brescia-s, Defendi nuk ka arritur të gjejë hapësira, duke luajtur vazhdimisht i huazuar në Ligën Pro, me klube si Como e Arezzo.

Me këta të fundit, ka shënuar edhe 4 gola në 22 ndeshje të luajtura gjatë sezonit të kaluar, ndërsa për shërbimet e tij gjatë merkato së verës interes kanë shfaqur dy klube të tjera nga kategoria e tretë italiane, si Pistoiese dhe Siena.

Defendi cilësohet një përforcim i nevojshëm për skuadrën e drejtuar nga trajneri Gentian Begeja, ku përveç sulmuesit Artur Magani, gjatë merkatos së verës ka afruar edhe dy lojtarë në repartin ofensiv, si Jasmin Raboshta dhe Shpat Ismajili.

Nëse marrëveshja do të arrihej, Edoardo Defendi do ti shtonte kualitet dhe eksperiencë sulmit të bregdetarëve, në garën për të zhvilluar një tjetër sezon në nivele të larta në kampionat. Nga ana e tij, 24-vjeçari ka përpara një të ardhme të gjithën për të shkruar, ndoshta duke nisur me një rol protagonisti te Teuta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat