Dominimi i amerikanëve

Sporti

Dominimi i amerikanëve

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 11:12
Pheleps mban flamurin amerikan

Edicioni i 31-të i Lojërave Olimpike moderne uli siparin. Në evenimentin e parë të këtij lloji të zhvilluar në Brazil dhe në Amerikën e Jugut, nuk munguan surprizat dhe zhgënjimet, e megjithatë u respektuan hierarkitë në tabelën përfundimtare të medaljeve. Shtetet e Bashkuara konfirmohen si skuadra më e fort. Ekipi amerikan u klasifikua i pari për medalje të fituara në Rio 2016: plot 121, duke përmirësuar edhe paraqitjen e katër viteve më parë, ku e mbyllën Olimpiadën me 103 medalje në total. Sportistët amerikanë fituan plot 46 medalje të arta, shifër e njëjtë me atë të Londër 2012, të cilave iu shtuan edhe 37 medalje argjendi dhe 38 bronzi. Në tokën latine, ndryshoi vendi i dytë me Britaninë e Madhe që fitoi një pozicion, falë 27 medaljeve të arta nga 67 medalje të fituara në total. Rezultati fantastik për britanikët u regjistrua pavarësisht se ndryshe nga Olimpiada në Londër, ata fituar dy medalje të arta më pak. Ajo që zbriti një vend është Kina, për shkak të rënies së ndjeshme të medaljeve të arta. Vetëm 26 të tilla në Brazil, krahasuar me 38 të fituar në Londër 2012. Duke qenë se renditja finale përllogaritet falë medaljeve të arta, aziatikët zbresin në vendin e tretë, pavarësisht se me 70 medalje në total kishin siguruar më tepër podiume se Britania e Madhe. Paraqitja mbetet gjithsesi më e dobët se 4 vjet më parë, kur Kina ngjiti plot 88 sportistë në podium.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat