Rio 2016 “ndez pishtarin”

Sporti

Rio 2016 “ndez pishtarin”

Më: 4 gusht 2016 Në ora: 18:44
Pishtari

Dy vjet më parë në stadiumin e famshëm Maracana u mbyll me sukses edicioni i 20 i kampionatit botëror të futbollit. 26 muaj më vonë Brazili hap dyert për një tjetër ngjarje të madhe sportive, këtë herë me përmasa gjigante, teksa Rio de Janeiro bëhet gati për Lojërat Olimpike. Bëhet fjalë për Olimpiadën e 31, me lojërat e këtij edicioni që zyrtarisht do të zhvillohen nga data 5 deri më 21 gusht, ndonëse disa aktivitete kanë nisur në fakt që dy ditë përpara ceremonisë hapëse. Gjithcka filloi më 2 tetor në Kopenhagen, kur pas eliminimit fillestar të Tokios dhe Cikagos kandidatura braziliane mundi bindshëm qytetin e Madridit. Kështu Rio bëhet i pari qytet i Amerikës së Jugut që do të presë Lojërat Olimpike, ndërkohë kjo do të jetë edhe Olimpiada e parë që mbahet në një vend portugalisht folës. Për herë të parë një event I këtyre përmasave do të zhvillohet i gjithi gjatë stinës së dimrit, ndërkaq Brazili bëhet vendi i 18 që organizon Lojërat Olimpike. Një ndërmarrje e guximshme që konfirmon padyshim zhvillimin ekonomik të këtij vendi, duke patur parasysh që deri më tani një aktivitet i tillë është mbajtur plot 4 herë në Shtetet e Bashkuara dhe 3 herë në Britaninë e Madhe, me Londrën që spikat si qyteti që ka mirëpritur më shumë olimpiada në histori. Zyrtarisht këto lojëra do të marrin udhë pikërisht në Stadiumin Maracana, me ceremoninë hapëse, sidoqoftë kjo do të jetë edhe olimpiada e parë që organizohet nën presidencën e gjermanit Thomas Bach, numrit 1 të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Olimpiada e Rios do të thyejë rekordet si për numrin e vendeve që marrin pjesë gjithashtu edhe përsa i përket numrit të sporteve. Janë plot 11.239 sportistë që do të prëfaqësojnë 206 Komitete Olimpike, ku figurojnë për herë të parë Kosova dhe Sudani i Jugut. Do të shpërndahen 306 medalje në 28 sporte të ndryshme, ku përfshihen edhe regbia me 7 lojtarë që mungonte prej 92 vjetësh, si dhe sporti i golfit, që për hir të së vërtetës i rikthehet lojërave për herë të parë që nga Olimpiada e vitit 1.904, në Saint Louis. Kuptohet qartë që tashmë Lojërat Olimpike janë zgjeruar akoma më shumë, madje ditën e mërkurë drejtuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ranë dakort që në olimpiadën e ardhshme që do të mbahet në Tokio pas katër vjetësh të shtohen edhe pesë disiplina të tjera, ku përfshihet rikthimi i sporteve të tillë si baseball e softball por do të celet rruga edhe për sporte që reflektojnë tendencate e reja të të rinjve si skateboard dhe surf. Garat do të mbahen në 33 impiante sportive të Rios, por një pjesë e tyre do të zhvillohet gjithashtu edhe në Sao Paulo, Belo Horizonte, Salvador, Brasilia si dhe Manaus. Krejt ndryshe nga herët e tjera kur nuk lejohej garimi I sportistëve refugjatë, këtë radhë për shkak të krizës së emigrantëve që ka përfshirë Evropën si dhe për arsye të tjera KON-I ka lejuar konkurrimin e sportistëve të pavarur, të cilët do të prezantohen nën Flamurin Olimpik. Shqipëria do të marrë pjesë me 6 sportistë, ndërsa Kosova me 8, por padyshim shpresat më të mëdha për medalje janë varur te Majlinda Kelmendi, me 25-vjecaren nga Peja që ka në CV dy tituj botërorë dhe dy evropianë, madje medaljen e parë të artë në karrierë xhudistja kosovare e ka fituar pikërisht në Rio de Janeiro, tre vjet më parë. Sportistët do të kenë privilegjin për të shijuar pamjet që ofron një prej qyteteve më të bukur të botës, me garat që do të zhvillohen në katër zona të ndryshme të Rios: Barra, Copacabana, Deodoro dhe Maracana, që të gjitha të lidhura në mënyrë perfekte nëpërmjet shërbimeve të ndryshme të transportit, raporton supersport. Afërsisht gjysma e sportistëve do të ketë mundësinë për të mbërritur në vendet e stërvitjes apo garimit në më pak se 10′, ndërsa 75% e tyre do ta bëjnë këtë në më pak se 25′. 18 nga 34 impiantet e këtyre lojërave shfrytëzohen prej kohësh. 8 prej tyre organizatorët kanë ndër mend t’I përmirësojnë, 7 do të përdoren përkohësisht, ndërsa 9 impiante janë ndërtuar enkas për këto lojëra dhe do të përdoren në vazhdim nga sportistët vendas. Sigurisht një arritje e madhe për këtë vend, duke patur parasysh që kjo është vetëm hera e tretë që Lojërat Olimpike Verore organizohen në hemisferën e jugut, pas Melburnit në 1956 dhe Sidneit në vitin 2000, e gjithashtu edhe hera e parë që Olimpiada mbahet në Amerikën Latine që nga viti 1968, kur u zhvilluan në Mexico City. Vinicius është pagëzuar maskoti zyrtar I këtyre lojërave, për shkak të poetit të famshëm vendas Vinicius de Moraes, ndërsa Tom quhet maskoti I lojërave paralimpike. Pishtari Olimpik u ndez në Tempullin e Herës më 21 prill të këtij viti, ndërsa gjashtë ditë më vonë në Stadiumin Panathenaic të Athinës  iu kalua delegacionit brazilian. Pasi bëri bëri një ndalesë të shkurtër në Zvicër, ku vizitoi selinë e KON-it, Muzeun Olimpik të Lozanës si dhe zyrat e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, më 3 maj pishtari olimpik preku kryeqytetin Brazilia, për të vizituar në vazhdim plot 300 qytetete të ndryshme, ku përfshihen 26 kryeqytetet e tjera të vendit, si dhe Distriktin Federal.Për këto lojëra janë shitur 7,5 milionë bileta gjithsej, 200.000 më pak se në Olimpiadën e Londrës, për arsye të kapacitetit më të vogël të impianteve krahasuar me kryeqytetin britanik. Një gjë është e dukshme, qyteti është transformuar dhe ndryshimet dallohen qartë. Organizatorët këmbëngulën gjatë në zhvillimin e këtyre lojërave pikërisht për globalizimin e Rio de Janeiros, për të nxjerrë akoma më tepër në pah jo vetëm transformimin e këtij qyteti por gjithashtu edhe për t’I treguar botës progresin e bërë nga Brazili gjatë dekadës së fundit. Tashmë dihet jo gjithcka ka shkuar mirë, pasi shumë gjëra I kanë tejkaluar dukshëm afatet dhe janë bërë me vonesë, madje disa impianteve po i jepet dora e fundit. Qyteti ka fituar krenarinë e dikurshme, atë të gjashtë dekadave më parë, kur ishte kryeqyteti I Brazilit, megjithatë kontrasti është tepër I madh. Linja e re e metrosë që lidh zonën e hoteleve me parkun Olimpik për shembull sapo është inauguruar dhe gjatë kohës së olimpiadës do të përdoret vetëm nga zyrtarët olimpikë, gazetarët apo gjithë ata që disponojnë bileta për të ndjekur garat. Rigjenerimi i qytetit, hapja e shumë muzeumeve apo dhe përmirësimi I ndjeshëm I infrastrukturës bën një kontrast të thellë me ata miliona njerëz që jetojnë në “favelas”, në kushte shumë të vështira. FIFA përfitoi plot 4 miliardë dollarë nga Kupa e Botës, megjithatë nuk mund të hiqen paralele mes organizmit më të lartë të futbollit dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Organizatorët kanë investuar 15 miliardë dollarë për mbarëvajtjen e këtyre lojërave, shumë më pak nga cfarë shpenzuan Kina dhe Britania e Madhe në dy olimpiadat e fundit, gjithsesi fakti që gjatë këtij muaji në rrugët e Rios do të angazhohen nga shteti plot 85.000 ushtarë tregon më së miri nivelin e lartë të kriminalitetit. Problemet me ambjentin në Gjirin Guanabara ku shtrihet qyteti mbeten, e papastërtitë, ujërat e zeza dhe ndotja shoqërohen gjithashtu edhe nga frika e virusit Zika. Numri I mushkonjave është reduktuar ndjeshëm, kuptohet për shkak të stinës së dimrit dhe të gjithë sportistët do të duhet gjatë gjithë kohës të spërkatin veten me një spray të prodhuar enkas.Jo pak sportistë kanë hequr dorë nga këto lojëra vetëm për shkak të frikës, sidoqoftë ky është një fenomen me të cilin tashmë duhet të mësohen, pasi Virusi Zika së fundmi ka prekur edhe Shtetet e Bashkuara. Sikur të mos mjaftonte kjo, delegacioni rus është I gjymtuar për shkak të skandalit të dopingut, ndërkaq po për të njëjtat probleme nuk është lejuar të marrë pjesë as ekipi bullgar I peshëngritjes. Diferenca e madhe orare bën që aktivitetet të shtrihen deri në harkun e 20 orëve, me garat e notit apo ndeshjet e volejbollit në plazh që do të nisin pikërisht kur në Rio de Janeiro të jetë mesnatë. Diferenca e Orës Qendrore të Evropës me Rion është 5 orë dhe sa për të marrë një shembull organizatorët kanë vendosur që finalet e sprintit në atletikë, në garën e 100 dhe 200 metrave si për femra ashtu edhe për meshkuj të zhvillohen në orën 3:35 të mengjesit. Përsa I përket rezultateve pritet sërish dueli I ashpër ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, vende që janë alternuar në krye të klasifikimit në olimpiadat e Athinës, Pekinit dhe Londrës, ndërsa më poshtë rivalitet I ashpër për podiumin pritet ndërmjet Rusisë dhe Britanisë së Madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat