Pluhur i madh në TC “Kosova A”, banorët ankohen

Lajme

Pluhur i madh në TC “Kosova A”, banorët ankohen

Më: 8 korrik 2016 Në ora: 22:26
Pamje nga vendi i ngjarjes

Është mbuluar nga pluhuri zona përreth Termocentralit Kosova A në Obiliq, si pasojë e daljes së filtrave nga funksioni.

Kjo i ka shqetësuar banorët e asaj ane dhe autoritet e kësaj komune. Sipas tyre kjo nuk është hera e parë që ka ndodhur një gjë e tillë, dhe se ky shqetësim i tyre nuk është duke u zgjidhur tash e sa kohë nga korporata në fjalë.

Drejtori i Ambientit në komunën e Obiliqit, Arben Berisha për KosovaPress thotë se kjo është bërë një gjë e përsëritshme për ta, e sidomos gjatë fundjavave dhe pas orarit të punës.

Berisha tha se e ka ngritur çdo herë shqetësimin e banorëve ndaj KEK-ut.

Berisha: Ne kemi probleme vazhdimisht me pluhurin e TC Kosova A të KEK-ut

“Në cilësinë e drejtorit të ambientit kam ngritur çdo herë shqetësimet e banorëve të Obiliqit e në veçanti për çështjen ambientale kundrejt KEK-ut. Ne kemi probleme vazhdimisht me pluhurin e TC Kosova A të KEK-ut, nuk është hera e parë, nuk është hera e fundit, dhe kjo vazhdon prapë dhe sidomos gjatë ditëve të vikendit pas orarit të punës. Ndaj, kjo është një dukuri e zakonshme që neve na përcjell vazhdimisht”, tha Berisha.

Ai tha se ka tentuar të kontaktojë me menaxhmentin e KEK-ut, dhe asnjë prej tyre nuk janë gjendur në vendin e punës, dhe kjo sipas tij, është një papërgjegjësi e tyre totale. Ndërsa, arsyetimet e tyre i ka quajtur banale, se kinse janë në riparim.

Berisha: KEK-ut i mungon përgjegjësia totale

“E kam thënë dhe do ta them prapë, KEK-ut, i mungon pa përgjegjësia totale ndaj punës që e bëjnë dhe arsyetimet e tyre banale janë se janë në riparime dhe me defekte. Këta çdo herë janë në defekte sidomos gjatë orëve të mbrëmjes dhe ditëve të vikendit kjo ndodhë”, tha ai.

Ndërsa, banori i lagjes “Hasan Prishtina” tek TC Kosova A, Sami Emini, shprehet mjaft i indinjuar dhe mllefosur ndaj KEK për shkaktimin dëmeve shëndetësore të banorëve të kësaj lagjeje nga pluhuri i shpërfaqur nga ky termocentral.

Ai thotë se këto ndotje të ambientit ndodhin sidomos gjatë orëve të natës në këtë termocentral. Emini thotë se kanë bërë ankesa të shpeshta por kanë hasur në veshët e shurdhër.

Emini: Banorët marrin injeksione për fyt, kjo prej ajrit të ndotur

“Gjatë ditës më pak ka, ndërsa natën ibret të bëjnë prej pluhurit... as teshat nuk mund ti thajmë as asgjë.... kemi dhimbje fyti, ne marrim shesh edhe antibiotik për fyt, jo vetëm unë, por shumica e kësaj lagje të gjithë kanë dhimbje të fytit. Megjithatë marrin edhe injeksione për fyt ngase ajri është shumë i ndotur prej pluhurit”, theksoi ai.

Sipas autoriteteve të komunës së Obiliqit, pluhuri ka ndodhur nga prodhimi i tepërt me ç’rast kanë shkaktuar daljen e filtrave nga funksioni, dhe sipas tyre kjo ka ndodhur nga faktori njeri.

Ndërsa, KosovaPress, ka tentuar të marrë përgjigje nga KEK, por ishte e pamundur kjo me arsyetimin se zyrtarët e ë lartë të kësaj korporate ishin në një vizitë zyrtare me gazetarë në Shqipëri për t’i vizituar hidrocentralet atje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat