Komunat veriore marrin 6.4 milionë euro nga Fondi për Veri

Mitrovica

Komunat veriore marrin 6.4 milionë euro nga Fondi për Veri

Më: 21 qershor 2016 Në ora: 17:56
Mitrovica

Janë ndarë mjetet e fondit për Veri, që u themelua kohë më parë, si pjesë e marrëveshjeve Kosovë-Serbi në Bruksel.
Më së shumti para ka fituar Mitrovica Veriore, rreth 3 milionë, thuhet në një njoftim të Institutit për Zhvillimin Ekonomik Territorial (InTER).

Këto para janë ndarë për pesë projekte: shpronësimin e tokës për ndërtesën e re të komunës, stacionin e zjarrfikësve, hallën sportive, Institutin Rajonal Kulturor dhe projektin për ndihmë ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Zveçani ka marrë 1.3 milionë, me të cilat, mes tjerash, do të ndërtohet edhe një qendër rinore.

Komuna e Zubin Potokut ka marrë rreth 1 milion euro, të cilat do të shpenzohen edhe për ndërtimin e një pishine të mbyllur dhe të një arene për atletikë.

Leposaviqi ndërkaq merr rreth 1.2 milionë nga fondi për veri. Me to pos tjerash do të bëhet një kopsht për fëmijë dhe objekte për aktivitete kulturore e sportive.

Mjetet nga Fondi për Veriun e Kosovës sigurohen nga taksat doganore që mblidhen në vendkalimet kufitare të Jarinjes e Bërnjakut, ndërsa qëllimi i themelimit të tij është mbështetja për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të katër komunave me shumicë serbe në këtë pjesë të vendit.

Deri tashti janë tubuar 9.4 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat