Blloku: Na veçoi shpirti garues dhe ndjenja për Flamurin kuq e zi

Volejboll

Blloku: Na veçoi shpirti garues dhe ndjenja për Flamurin kuq e zi

Nga: Kemajl Goca Më: 21 qershor 2016 Në ora: 17:44
Ergysa Blloku

Kombëtarja e Shqipërisë bëri paraqitje të mirë në Ligën e Evropës (European League) në volejboll në konkurrencën e femrave. Volejbollistet kuqezi për tri ditë kishin arritur dy fitore me rezultat identik 3:2 kundër Polonisë përkatësisht Bjellorusisë, por edhe pësuan me 3:1 nga Sllovakia. Vashat shqiptare dëshmuan lojë superiore ndaj polakeve dhe bjelloruseve dhe rezultoi me fitore, gjë që bëri krenarë dashamirët jo vetëm të këtij sporti. Megjithatë, Shqipëria përfundoi në vend të fundit (e katërta) në grupin A me vetëm pesë pikë të fituara ose dy fitore e katër humbje. Volejbollistja e Shqipërisë, Ergysa Blloku, shprehet se liga ka qenë shumë e fortë dhe pothuajse edhe shumë rivalizuese. “Liga ka qenë shumë e fortë dhe normal niveli i lart i volejbollit, pavarësisht se ne treguam me të mirën tonë, gjë që na vlerësuan shumë vende të botës”, tha Blloku për gazetën kombëtare “Bota sot”. A keni pritur me tepër apo i tejkaluat parashikimet? “Dëshira ishte të fitonim edhe në Poloni pse jo, por fati ndonjëherë nuk është me ne. Gjithsesi dy fitoret këtu ishin nga grupi dhe shpirti garues që kemi për sportin e volejbollit, do të donim shumë t’i kishim fituar të tria, por ja që nuk ndodhi. Jemi shumë të kënaqura edhe me këtë rezultat”, theksoi volejbollistja. Blloku luan në pozitën e sulmueses, është e gjatë 175 centimetra dhe shquhet me goditje të forta. Sipas saj, sikur të kishin me tepër fat do të dilni më mirë në grup: “I kishim mundësitë të fitonim edhe dy ndeshje në Poloni, por fati nuk ishte në anën tonë”. Synimi i saj është që në të ardhmen të tregojnë lojëra të nivelit edhe më të lartë. Ajo tregon se çka e ka veçuar kombëtaren shqiptare në Ligën e Europës. “Shpirti garues që kemi për sportin e volejbollit dhe për Flamurin kuq e zi”, tha Blloku. Ajo është e impresionuar nga organizimi që është bërë brendapërbrenda kombëtares kuqezi. “Në radhë të parë doja me përshëndet Federatën e Volejbollit në veçanti presidentin Erli Pëllumbin dhe stafin e tij që kanë bërë një organizim dhe një punë super të bukur, gjithashtu edhe dy trajnerët Altin Mertirin dhe Roland Tarja. Edhe së fundmi dua ti falënderoj gjithë vajzat e ekipit që dhanë maksimumin e tyre dhe përjetuam këto emocione kaq të bukura, pa harruar edhe publikun i cili dha me të mirën për të na mbështetur për këto tri ditë”, thotë Blloku. Volejbollistja nuk ka ndonjë plan konkret gjatë këtyre ditëve, por me gjasë do të mbetet besnike e klubit Tirana.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat