Kryediplomati francez i ofron Hoxhajt përkrahjen e Francës

Politika

Kryediplomati francez i ofron Hoxhajt përkrahjen e Francës

Më: 16 qershor 2016 Në ora: 16:26
Jean Marc Ayrault

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar sot një telegram urimi nga homologu francez Jean Marc Ayrault.Në telegramin e urimit për emërimin në postin e ministrit të Punëve të Jashtme, ministri Jean Marc Ayrault e ka vlerësuar lart përkushtimin e ministrit Hoxhaj të cilit i ka ofruar përkrahje për ta ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e proceseve integruese evropiane si dhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës e Francës. 

“Franca ka qenë gjithmonë përkrah Kosovës dhe ju e dini se vendi juaj mund të llogarisë në mbështetjen tonë dhe ekspertizën tonë për ta shoqëruar në reformat e nevojshme në përafrimin tuaj me Evropën, në veçanti në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA)”, është thënë në telegramin e urimit.

Ministri francez gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për ta përkrahur Kosovën edhe në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. “Ne ndajmë me ju dëshirën për të parë Kosovën të rrisë rolin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe ne mbështesim përpjekjet tuaja në këtë drejtim”, është thënë në këtë urim. Në këtë telegram urimi gjithashtu është përmendur edhe samiti i tretë për Ballkanin Perëndimor që pritet të mbahet në Paris. “Ky samit do të na mundësojë të përforcojmë dialogun tonë në dosjet e mëdha ndërkombëtare, por gjithashtu të zgjerohen shumë iniciativa të bashkëpunimit rajonal në të mirë të të rinjve dhe të projekteve të infrastrukturës. Angazhimi i qeverisë suaj do të jetë determinues për suksesin e kësaj ngjarjeje”, është thënë në telegramin e urimit të ministrit Jean Marc Ayrault. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat