Fizioterapeuti Rexhaj ndanë dhimbjen me kapitenin e kombëtares kroate

Futboll

Fizioterapeuti Rexhaj ndanë dhimbjen me kapitenin e kombëtares kroate

Nga: Arif Ejupi Më: 16 qershor 2016 Në ora: 10:31
Nderi Rexhaj

Nderim Rexhaj me prejardhje nga Cërca e Burimit (ish-Istogu ) prej vitesh është pjesë e stafit mjekësor të kombëtares kroate të futbollit. Ai me dashuri dhe respekt po kryen punën e fizioterapeutit në këtë kombëtare të njohur edhe në Kampionatin e porsafilluar evropian “Franca 2016”. Rexhaj me shtetësi të dyfishtë shqiptaro-kroate që nga mosha njëvjeçare së bashku me prindërit Aliun e Sofën, si dhe motrën Lindën ka migruar në qytetin veriperëndimor Varazhdin të Kroacisë. Kjo familje në gjithë Varazhdinin njihet si familje e edukuar dhe e vyeshme ku e integruar lehtë në shoqërinë kroate shpejt ka krijuar miqësi të shumta jo vetëm në këtë qytet por në tërë Kroacinë. Rexhaj autoritativ dhe i njohur për mirësjellje e korrektësi ka ndërtuar raporte të shkëlqyera me stafin udhëheqës të kombëtares kroate dhe lojtarët e saj. Ai sikur harron lodhjen kur është me futbollistët e kësaj kombëtare. Bile haptas thotë: “Ndihem i privilegjuar dhe krenar kur gjendem në shoqëri me këta djem të mrekullueshëm të cilët decenie me radhë po afirmojnë vlera të vërteta të futbollit kroat në Evropë e botë”. Rexhaj i është gëzuar tepër fitores së Kroacisë ndaj Turqisë 1:0, edhe atij eurogoli të Luka Modriçit që shpreson që do të jetë edhe goli më i bukur i këtij kampionati. Mirëpo ky gëzim i Rexhajt dhe i gjithë përfaqësueses kroate është kthyer në pikëllim ngase kapiteni i saj Darijo Srna, në ndërkohë ka marrë lajmin se babai i tij Uzeir Srna ka ndërruar jetë. Këtë lajm të hidhur Rexhaj së bashku me kolegët e tjerë e ka përjetuar rëndë. Kurse Darijo i cili po e bart për herë të 131 fanellën e kombëtares kroate është larguar nga Franca me lot në sy. Ai është kthyer në qytezën Metkoviq për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij. Srna, është tronditur nga kjo vdekje e papritur e të atit. Ai ishte i lidhur shumë me te sepse ai me tërë qenien e kishte përkrahur dhe ndihmuar Darijon në rrugën e sukseseve. I ndjeri Uzeir Srna edhe vetë ishte sportist i dalluar veçmas ai u shqua si portier cilësor në Sarajevë, Zenicë e Metkoviq, prandaj nga dashuria për sportin vuri gjithçka në dispozicion të të birit Darijo, vetëm e vetëm që ai të realizojë talentin e tij prej futbollisti. Darijo mjaft inteligjent e serioz në punë jetësoi hëpërhë porosit e babait të tij. Rexhaj duke e njohur për së afërmi Darijon thotë ai së bashku me bashkëlojtarët është krenaria e kombëtares kroate dhe se në këto momente të vështira të gjithë dhimbjen e pikëllimin do ta ndajmë së bashku me të. Darijo e meriton këtë respekt sepse përveç që është futbollist i dalluar është edhe shok e mik i vërtetë. Duke njohur Darijon si një burrë me karakter të fortë Rexhaj pret që ai të kthehet në takimin kundër Çekisë, sepse pozita në të cilën ai luan me gjithë kontingjentin e mjaftueshëm të lojtarëve cilësor tepër vështirë mund të plotësohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat