Vranë Fatmir Pulën, çohen për gjykim 4 persona

Kronikë e zezë

Vranë Fatmir Pulën, çohen për gjykim 4 persona

Më: 12 qershor 2016 Në ora: 14:03
Fatmir Pula

Katër persona të akuzuar për vrasjen e shtetasit Fatmir Pula, i cili ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një tentative për vjedhje, janë dërguar për gjykim nga Prokuroria Krujës. Shtetasit Admir Haka, Elton Ceka, Herton Haka dhe Olti Metuku akuzohen për “Vjedhje me pasojë vdekjen” dhe “Armëmbajtje pa leje”, për ngjarjen e ndodhur më datë 19.01.0216.

Prokuroria e Krujës ka bërë të ditur se ka dërguar për gjykim edhe shtetasit Hekuran Buci, i akuzuar për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe shtetasin Aleksandër Haka, i akuzuar për “Moskallëzim krimi” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Të pandehurit janë hetuar të gjithë nën masën e sigurisë “Arrest në burg”.

“Më datë 19.01.2016, rreth orës 21.00, në vendin e quajtur fshatin Zeze komuna Nikel, është gjendur i vrarë me arme zjarri shtetasi Fatmir Pula, i datëlindjes 1971. Gjate këqyerjes së vendit të ngjarjes është fiksuar kufoma i shtrirë në rrugë para automjetit “Benz” ngjyrë të bardhë me targë “AA 471 HG”, me plagë armë zjarri. Pranë viktimës gjendeshin edhe dy thasë të mbushur me shkurre (dege plepi të thata), si dhe janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë model 56 kalibër 7.62 mm”, rezulton nga hetimet e Prokurorisë s Krujës.

Ndërkohë më herët policia ka sqaruar se Olti Metuku ka mbajtur në vëzhgim viktimën në momentin që ka dalë nga lokali, duke lajmëruar dhe autorët e tjerë. Herton Haka, vëllai i Admir Hakës, ka qenë i fshehur në kthesën që të çonte në banesën e viktimës, nga fshati Nikël për në Zezë dhe ka njoftuar dy autorët e tjerë që makina në të cilën ndodhej viktima po vinte në drejtim të tyre.

Elton Ceka dhe Admir Haka, të dy të armatosur, Elton Ceka me një armë zjarri automatik dhe Admir Haka me pushkë, i kanë bllokuar rrugën viktimës me thasë me shkarpa dhe Ceka ka qëlluar me 4 plumba me armë zjarri automatik në drejtim të Fatmir Pulës, i cili ka gjetur edhe vdekjen e menjëhershme. Aleksandër Hakaj i ka furnizuar me fishekë autorët, i ka strehuar natën e krimit dhe njëkohësisht ka mbajtur edhe armët e krimit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale. Policia ka sekuestruar një automatik model 56, një pushkë model 63 dhe 4 copë fishekë luftarakë. Admir dhe Herton Haka, janë vëllezër dhe njëkohësisht fqinj të viktimës. Aleksandër Haka është djali i xhaxhait të tyre, ndërsa Hekuran Boci dhe Olti Metuku janë burrat e motrave të vëllezërve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat