Kolaudimi, ja çmimet kërkon koncesionari në shtator

Shqipëria

Kolaudimi, ja çmimet kërkon koncesionari në shtator

Më: 10 qershor 2016 Në ora: 07:36
Makinat ne Shqiperi

Kompania koncesionare SGS kërkon rritjen e tarifës së shërbimit për kontrollin teknik të automjeteve me 200 lekë. Kjo kërkesë ka shkuar për miratim në Ministrinë e Transporteve në mesin e muajit maj, së bashku me argumentet përkatëse me kostot dhe shpenzimet që ka bërë koncesionari që operon në tregun shqiptar që nga viti 2009. Por, edhe pse një kërkesë e tillë është e përligjur, sipas kontratës me MTI-në, për rishikim të tarifave çdo 3 vjet për të reflektuar rritjen e normës së inflacionit, ministria e ka cilësuar atë të parakohshme, duke bërë në këtë mënyrë refuzimin e parë për rritjen e çmimit. Sipas grupit të punës, në përgjigjen që jepet theksohet se “periudha kur palët sipas kontratës duhet të diskutojnë për tarifat është shtatori i vitit 2016”. Nga ana tjetër, disa herë gjatë muajve të fundit, Ministria e Transporteve i ka kërkuar kompanisë koncesionare të përmirësojë shërbimin për konsumatorët dhe të shmangë radhët e gjata që shfaqen shpesh nëpër pikat e saj. Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka paralajmëruar kompaninë e kolaudimit të automjeteve SGS se nëse nuk respekton kontratën, madje mund të ketë edhe rivlerësim të saj. Gjatë një kontrolli në zyrat e kësaj kompanie në muajin mars, ministri Edmond Haxhinasto kërkoi respektimin e detyrimeve kontraktuale për standardet dhe kryerjen e investimeve. Kontrata me koncesionarin SGS është firmosur me afat 10 vjet, pra deri në vitin 2019, por në një nga pikat e saj citohet se mund të vendoset edhe për zgjatjen e saj.

Procedurat

Në kohën kur kompania private mori përsipër tregun e kontrollit teknik të automjeteve në Shqipëri kishte një flotë prej 200 mijë automjetesh, ndërsa 7 vjet më vonë ky numër është dyfishuar. Për kolaudimin, kjo kompani ka vendosur disa kushte, ndërsa kontrolli është i detyruar një herë në vit për kategoritë masive të mjeteve. Përdoruesit e mjeteve rrugore, para se të paraqiten në një nga pikat e kontrollit, duhet të plotësojnë saktësisht dokumentacionin, ndërsa procedura e kontrollit teknik parashikon kontrollin e pjesës së jashtme (të sipërme dhe të poshtme) si dhe pjesës së brendshme të automjetit (kabina, motori). Për këtë arsye, në pikat e kolaudimit nuk do të pranohet për kontroll asnjë mjet i cili nuk është i pastër, si nga ana e jashtme ashtu edhe në pjese e brendshme të tij. Pas plotësimit të dokumentacionit, drejtuesit duhet të paraqiten në zyrat e recepsionit, në të cilat kryen procedurat e regjistrimit të mjetit në sistemin kompjuterik dhe lëshohet fatura përkatëse e kuponin tatimor. Pas këtij veprimi, qytetari kryen pagesën sipas mjetit që disponon dhe nënshkruan deklaratën mbi gjendjen teknike e njëkohësisht dorëzon çelësat e automjetit. Më pas, kalon në ambientet e pritjes, nga ku mund të vëzhgojë mjetin e tij që kalon në fazat e ndryshme të testimit.

Që nga lidhja e marrëveshjes, në vitin 2009, rishikimi i tarifave është realizuar në 6 shtator 2010, kur kanë ndryshuar tarifat që aplikoheshin para koncesionit dhe në 6 shtator 2013, me një rritje mesatare 9.38 për qind.

Gazeta publikon tarifat aktuale, të cilat ndryshojnë sipas llojit dhe kategorisë së automjetit, ku më ulëta është 870 lekë për motomjetet ndërsa më e larta është 2950 lekë për mjetet mbi 3.5 tonë. Për rivlerësimin e këtyre çmimeve ka ndërhyrë edhe Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka kërkuar një analizë të plotë, deri në marrjen e vendimit.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat