Meta, takime në Kongresin Amerikan, merr mbështetje për reformën në drejtësi

Shqipëria

Meta, takime në Kongresin Amerikan, merr mbështetje për reformën në drejtësi

Më: 9 qershor 2016 Në ora: 16:46
Ilir Meta

Gjatë vizitës së tij në Uashington, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi disa takime në Kongresin Amerikan, gjatë të cilave rikonfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.

Gjatë takimeve me Kongresmenët Jim McGovern dhe Joe Courtney, Meta mori mbështetjen e përfaqësuesve të Kongresit Amerikan për angazhimin në vazhdimësi të SHBA-së për të ofruar asistencën e nevojshme në fazën e implementimit të reformës për ngritjen e institucioneve te reja, procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, rritjen e besimit te integriteti i sistemit të ri të drejtësisë dhe funksionarëve të tij, si dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Zyrës së Prokurorit të Posaçëm për Antikorrupsionin.

Meta është takuar me Timothy Wedding, zv.asistent i Përfaqësuesve Tregtarë të SHBA-së, me të cilin janë diskutuar rrugët dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, asistenca e posaçme ndaj biznesit dhe investitorëve shqiptarë për të marrë njohuritë e duhura për të rritur shkëmbimet tregtare me SHBA, rritja e prezencës së investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët strategjikë të ekonomisë.

Meta është takuar edhe me drejtues të lartë të Institutit Demokratik Amerikan (NDI), ku u prit nga drejtori për Evropën i NDI-së, Robert Benjamin, i cili  shprehu angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë dhe partitë politike në vend, veçanërisht në projekte për përfshirjen e të rinjve në politikë.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat