A po provokohet një luftë NATO-Rusi?

Bota

A po provokohet një luftë NATO-Rusi?

Më: 7 qershor 2016 Në ora: 11:26
Ushtarët e NATO-së

Autori dhe ekonomisti kanadez, Michel Chossudovsky ka thënë se misioni stërvitës i NATO-s që po kryhet në Poloni, po bëhet për të vrarë dy zogj me një gur – për të frikësuar Rusinë, si dhe për të ndihmuar Uashingtonin që të vazhdojë luftërat përreth botës, veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Analisti i njohur, që udhëheq Qendrën për Kërkime dhe Globalizim ka theksuar që këto stërvitje koincidojnë me përvjetorin e 75-të të Operacionit “Barbarossa”, kur u bë invazioni i Bashkimit Sovjetik nga Gjermania Naziste, që kishte filluar më 22 qershor, 1941, transmeton KosovaPress.

Megjithatë, Chossudovsky ka theksuar se stërvitjet, të quajtura “Anakonda 2016”, si të tjera misione stërvitëse të NATO-s, nuk përbëjnë kërcënim imediat, e as kërcënim ushtarak ndaj Moskës, edhe pse zgjerimi i vazhdueshëm i bllokut po merret si shqetësim i madh.

“Përderisa ‘Anakonda 2016’ po zhvillohet mu pranë portës ruse, kjo nuk do të thotë se Rusia është e kërcënuar, të paktën jo në një të ardhme të afërt”, ka thënë ai.

Sipas tij, historia tregon se planet për luftëra bëhen përmes truqeve/mashtrimeve.

“Në këtë rast specifik, zbarkimi në Evropën Lindore dhe në Baltik është i hapur. Të gjithë dinë për të dhe i përkasin domenit publik. Janë pjesë e një fushate propaganduese. Madje po flasin për këtë edhe në media”, ka theksuar ai.

Sipas autorit, kjo është ajo çfarë e dallon këtë praktikë nga ajo e Gjermanisë naziste në ofensivën kundër Bashkimit Sovjetik.

“Operacioni ‘Barbarossa’ ishte një operacion sekret. Në atë kohë marrëdhëniet mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naziste ishin normale, në kuptimin e shkëmbimit tregtar”, ka vlerësuar ai.

Megjithatë, ai thotë se luftë-lojërat e NATO-s kanë qëllim negativ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat