Paketa fiskale, ja kushtet që i vendosen biznesit në korrik

Shqipëria

Paketa fiskale, ja kushtet që i vendosen biznesit në korrik

Më: 6 qershor 2016 Në ora: 07:56
Ilustrim

Për hartuesit e paketës, ndryshimet janë në përputhje me fazën e dytë të aksionit kundër informalitetit, i cili pas regjistrimit të ndërmarrjeve, synon përmirësimin e komunikimit me sipërmarrësit, ndërsa nuk janë ndryshuar nenet e ligjit të procedurave tatimore që rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Këto masa, të cilat janë kërkuar edhe nga bizneset, vijnë në një kohë kur kritikat për sjelljen dhe klimën e të bërit biznes në Shqipëri janë shtuar, si nga dhomat e tregtisë ashtu edhe nga Fondi Monetar e Banka Botërore. Shekulli ka siguruar propozimet paraprake që Financat kanë adresuar për konsultim te Bizneset, e që më pas do të shkojnë për miratim në parlament. Njëkohësisht, bashkë me to, ministri Ahmetaj ka kërkuar që brenda këtyre dy javëve propozime të tjera nga ta, për t’i refletktuar në paketë.

Propozimet

Ndryshimet kryesore të Paketës Fiskale zgjerojnë rimbursimin automatik të TVSh-së, zbusin masat ndëshkimore ndaj biznesit për një sërë shkeljesh dhe i hapin rrugë përdorimit të faturave elektronike. Kështu, lehtësirat fillojnë me eksportuesit. Aktualisht qeveria bën rimbursim automatik të TVSH-së vetëm për kompanitë, të cilat e shesin 100 për qind të prodhimit në eksport. Me draftin e ri, këtë lehtësim do ta përfitojnë ato ndërmarrje që eksportojnë deri në 70 për qind të prodhimit dhe pjesën tjetër e shesin brenda vendit. Ndërsa për bizneset, të cilat shesin në eksport të paktën 50 për qind të prodhimit, TVSh-ja do të rimbursohet brenda 30 ditëve. Sipas Ministrisë së Financave, këto ndryshime e rrisin numrin e eksportuesve që përfitojnë rimbursim automatik të TVSH-së në 40 për qind të totalit. Veç lehtësirave për eksportuesit, qeveria ka zbutur masat ndëshkuese për disa shkelje tatimore. Së pari, drafti rrëzon gjobën 500 mijë lekëshe për mosdeklarim punonjësish, në rastin kur ata janë punonjës pa pagesë në biznesin familjar. Po kështu, ai heq konfiskimin e mallrave pa dokumentacion shoqërues, duke e zëvendësuar këtë me forcimin e masave që kërkojnë domosdoshmërinë e dokumentimit. Zbutje dënimesh do të ketë edhe për mosdeklarimin në afat të deklaratës tatimore, mospagesës së taksave brenda afatit, por edhe plotësimit të pasaktë të deklarimit. Për bizneset në vështirësi për të paguar taksat do të krijohet mundësia e pagesës me këste, ndërsa, ndërmarrjet do të kenë të drejtë vetëkorrigjimi pa penalitet të deklarimeve tatimore 5-vjeçare. Paralelisht, ndryshimet i japin mundësi biznesit të printojë vetë faturën kompjuterike pa u kufizuar nga numri i faturave me TVSH dhe heqin apelimin tatimor nga Drejtoria e Tatimeve, duke e rikthyer në Ministrinë e Financave.

Ndryshimet

Biznesi mund të vetëkorrigjohet për 5 vitet e fundit

Biznesi lajmërohet 45 dita para për kontrollin tatimor

Lehtësim për procedurën e regjistrimit

Detyrim për Tatimet të publikojnë vendimin teknik për çdo biznes

Zgjerohet rimbursimi automatik i TVSh-së

Hiqet dënimi me gjobë për punonjësit familjarë

Ulet dënimi për mosdeklarimin në afat

Krijohet mundësia e pagesës së taksave me këste

Hiqet konfiskimi i mallrave pa faturë

Drejtoria e Apelit kalon në varësi të Ministrisë së Financave

Drejtoria e Tatimeve nuk ka të drejtë të ankimojë vendimin e apelit

Pagesat transferohen në telefon

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2015 numri i transaksioneve bankare përmes internetit apo telefonit celular arriti në 1.4 milionë, në rritje me 12 për qind, krahasuar me vitin 2014. Ndërkohë, në volum rritja ishte edhe më e lartë. Për vitin e kaluar vlera totale e pagesave në distancë arriti në afro 283 miliardë lekë, në rritje me 72 për qind krahasuar me vitin 2014. Shifrat tregojnë se modernizimi i shërbimeve bankare dhe përdorimi në rritje i teknologjive në shoqërinë shqiptare po ndihmon në përhapjen e shërbimeve të bankingut në distancë, që njohu një rritje të vrullshme gjatë vitit 2015. Pjesën dërrmuese të veprimeve bankare në distancë e zënë traksionet përmes internet banking, me rreth 65 për qind të totalit. Ndërkohë, numri i llogarive bankare të lidhura me internet banking ka arritur 153 mijë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, përdorimi i internet banking gjatë vitit 2015 u rrit me 5.5 për qind. Përdorimi i internet banking është rritur për të tetin vit radhazi, ndërsa rreth 86 për qind e llogarive të lidhura me internetin i takojnë individëve. Megjithatë, vlerësohet se Shqipëria është ende mbrapa në përdorimin e shërbimeve të bankingut në distancë, qoftë edhe në krahasim me vendet e rajonit. Mbështetur në numrin e llogarive të lidhura me internetin, vlerësohet se në Shqipëri shërbimet e pagesave në distancë i përdorin vetëm 5.3 për qind e popullsisë. Një shkallë ndjeshëm më të lartë të zhvillimit të pagesave elektronike kanë Mali i Zi dhe Kosova, ku këto shërbime përdoren në intervalin mes 7 për qind dhe 8 për qind të popullsisë. Me diferencë të konsiderueshme në krye është Maqedonia, ku pagesat elektronike përdoren nga afro 23 për qind e popullsisë

Pse janë rritur kreditë me probleme

Rritja e kredive me probleme për katër muajt e parë të këtij viti me 11 miliardë lekë, krahasuar me dhjetorin 2015 ose arritja e nivelit të 20 për qind e totalit të kredive, lidhet me disa shkaqe. Njëra ndër to është kreditimi i ulët që nxjerr në pah edhe më shumë përqindjen e huave me probleme. Tjetër shkak është edhe ndikimi negativ që japin kreditorët e këqij në portofolin e kredisë. Së fundmi, sipas Shoqatës së Bankave një nga 35 kompanitë kreditore me probleme është në proces gjyqësor për ristrukturim apo faliment dhe si e tillë ajo ka dhënë ndikim negativ në treguesin e kredive me problem për shkak të vështirësive financiare. Sipas Shoqatës, ajo që do të zgjidhë këtë ngërç të krijuar me kreditë e këqija është miratimi në parlament i paketës së masave për uljen e kredive me probleme, ku përfshihet edhe ligji i falimentit. Kreditë me problem shënuan rritje gjatë këtij viti edhe pse referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për dy muajt e parë 2016 janë nxjerrë jashtë bilancit të bankave afro 1.5 miliardë lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat