Kryeministri flet për zhvillim ekonomik në komunën e Ferizajt

Ferizaj

Kryeministri flet për zhvillim ekonomik në komunën e Ferizajt

Më: 5 qershor 2016 Në ora: 15:46
Pamje nga vizita

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i shoqëruar nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe ai i Infrastrukturës, ka vizituar sot komunën e Ferizajt. Ai mori pjesë në përurimin e rrugës që lidh fshatrat Zllatar e Dardani me magjistralen Ferizaj-Gjilan, ku u tha banorëve se përveç infrastrukturës, do të punojnë shumë edhe në zhvillim ekonomik, duke hap fabrika të vogla në fshatrat e Ferizajt.

Kryeministri vizitoi edhe Bifurkacionin e lumit Nerodime në Ferizaj, ku edhe u shënua Dita Botërore e Mjedisit.

Duke folur për rëndësinë e Bifurkacionit, si element i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit, Mustafa tha se dëshirojnë që të krijojnë kushtet e nevojshme që njerëzit të mund ta vizitojnë këtë pjesë.

Mustafa: Me Bifurkacionin e zhvillojmë turizmin

“Është një rast i veçantë i cili është tek ne në Kosovë, të cilin dëshirojmë që ta kultivojmë, ta mbajmë mirë, të zhvillojmë një turizëm, të krijojmë kushte që njerëzit të vijnë dhe ta vizitojnë, sepse vërtetë edhe kështu siç është, meriton vizita dhe meriton kujdes. Unë dëshiroj që sot të shpreh falënderime edhe për komunën, edhe për ministrinë, por edhe për Komisionin Evropian i cili më parë ka investuar por natyrisht që ato investime dëshirojmë që tani t’i rikthejmë dhe t’ia japim vlerën e tyre”, tha ai.

Ai tha se të gjithë ata që kanë punuar në komunën e Ferizajt, japin shembull se si duhet të kujdesur për mjedisin, në mënyrë që të bëhet më i përshtatshëm për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.

Ministri i Mjedisit, Ferid Agani, Bifurkacionin e lumit Nerodime e cilësoi si një fenomen natyrorë me vlera të veçanta në botë.

Agani: Funksionalizimi i Bifurkacionit, fazë e parë e një investimi të rëndësishëm

“Muajin e kaluar kemi nënshkruar një marrëveshje me komunën e Ferizajt për funksionalizimin e Bifurkacionit me një marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si fazë e parë e një investimi më të rëndësishëm i cili do të jetë pjesë e një investimi strategjik për ndërtimin e krahut jugor, të hidrosistemit Iberlepe nc, konkretisht në pjesën e Lepencit, i cili defacto duhet të fillojë edhe me fillimin e rregullimit të ujëmbledhësit në regjionin e Hezercit, në mënyrë që të krijojë një perspektivë të re në aspektin hidrocistenik për këtë pjesë të shtetit tonë”, tha ai.

Ai tha se vitin e kaluar kanë nxjerrë vendim me të cilin kanë vënë nën mbrojtje paraprake zonën e Bifurkacionit, zonë potenciale për shpallje si vlerë e mbrojtur e natyrës në kategorinë e monumentit të natyrës së veçante.

Ndërsa, kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa tha se funksionalizimi i Bifurkacionit të Nerodimës, paraqet njërin nga veprimet më domethënëse të Qeverisë së Kosovës, siç tha ai, për të ndihmuar komunën e Ferizajt të realizojë synimet zhvillimore të saj.

Banorëve të fshatrave të Ferizajt, kryeministri Mustafa u tha se do të ndërtojnë fabrika të vogla, në mënyrë që banorët aty të mund të punësohen.

Mustafa: Do të ndërtojmë fabrika të vogla për banorët e Ferizajt

“Këtij suksesi do t’i shtohen edhe tjerat, sepse ne do të bëjmë përpjekje maksimale që edhe zhvillimin ekonomik ta shpërndajmë ashtu siç po ndërtojmë rrugët, të ndërtojmë edhe fabrika të vogla nëpër vendbanimet juaja, në mënyrë që ju të gjeni punë këtu. Këta fëmijë dhe të rinjë që janë këtu të gjejnë ardhmërinë e tyre dhe perspektivën e tyre, në këtë vend, në këtë komunë, në këto fshatra, në këtë Kosovë që duan aq shumë, dhe që nuk e zëvendësojnë me asnjë vend tjetër”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa tha se rruga e re ndihmon në qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave.

Sfaqra: Ky lokalitet do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave

“Lidhë fshatin Zllatar dhe fshatin Dardani dhe me magjistralen Ferizaj-Gjilan, në një gjatësi prej 3 mijë e 200 metra, dhe gjerësi prej 6 metra. E kemi këtu edhe ministrin e Infrastrukturës me të cilin kemi biseduar që këtë lokalitet ta lidhim edhe me komunat e Gjilanit dhe Vitisë, sepse vetëm tre kilometra nga këtu mund të lidhet rruga që lidhet me magjistralen Gadime-Gjilan, që do ta lehtësojë edhe qarkullimin e njerëzve dhe mallrave që lidhe komunat tona, si dhe me komunën e Vitisë, këtu në fshatin Remjan, këtu në anën e djathtë”, tha ai.

Ai tha se pas përfundimit të kësaj rruge, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, do të punohet që ky lokalitet të lidhet edhe me komunën e Gjilanit dhe të Vitisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat