Morina: Ne patëm më shumë fat

Sporti

Morina: Ne patëm më shumë fat

Nga: Kemajl Goca Më: 5 maj 2016 Në ora: 19:34

Gjilani triumfoi në Merdarë me rezultat 3:1 ndaj Llapit nga Podujeva, në takimin e javës së 29-të të elitës së futbollit.
Arbnor Morina, kryetrajner i Gjilanit, është i kënaqur me angazhimin që treguan futbollistët e tij dhe beson se do të vazhdojnë me këtë ritëm deri në fund, por nuk e ka imperativ që të arrijë sa më lartë në klasifikim. Morina nuk ka më shumë se tri ndeshje që udhëheq ekipin, por po shënon rezultate të lakmueshme. “Jemi përgatitur për një kundërshtar të fortë e të mirë, që u dëshmua në futbollin e Kosovës si për pikë po ashtu edhe për Kupë. Fusha e rënduar e bëri lojën me të vështirë, megjithatë të dyja ekipet treguan angazhim të madh, por ne patëm më shumë fat dhe u kthyem me fitore”, tha Morina. Ai thotë se gjërat po shkojnë mirë, por ka shqetësimin për lëndimin e Haxhimusës.

“Që tri javë jemi bashkë dhe nga nëntë pikë kemi arritur shtatë. Kemi problem me disa futbollist të lënduar, ndërsa në këtë takim u lëndua edhe Haxhimusa i cili ka 15 penj në ballë”, theksoi ai. “Nuk kemi imperativ as vendin e dytë, as të tretë, as të pestë, por me stabilizuar lojën dhe të bëhem gati për edicionin e ri. Kanë mbetur shumë pak lojtar, sepse disa janë të lënduar. Jemi 20 lojtarë me dy portierë dhe kur kihet parasysh se çdo javë ka ndonjë lëndim ose kartona, atëherë duhet t’i marrin edhe lojtarët juniorë, të cilët po japin maksimumin në ekipin e parë”, ka thënë Morina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat