Zhuqa i gatshëm për aksion

Sporti

Zhuqa i gatshëm për aksion

Më: 5 maj 2016 Në ora: 19:21

Veterani i automobilizmit të Kosovës, Përparim Dushi, nuk e ka ndërmend të pensionohet. Përkundrazi, pas pranimit të Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK) në Federatën Ndërkombëtare (FIA), Dushi i ka shtuar edhe më tepër përgatitjet dhe investimet. “Ky është pasioni im dhe nuk mund të heq lehtë dorë prej tij”, ka thënë Dushi, i cili në komunitetin e automobilizmit më tepër njihet si Zhuqa.

Ai garon tash e 16 vjet dhe e njeh mirë çdo metër të shtigjeve ku mbahen garat. “Jam garuesi më i vjetër që aktualisht janë në garë, por unë kam ende shumë energji dhe sigurisht që do të vazhdoj edhe për disa vjet”, ka shtuar Dushi, i cili njihet edhe për temperamentin e tij.
“Çmendurinë” e radhës ai e ka bërë këto ditë, duke e blerë një bolid tejet atraktiv. “Kur është në pyetje meraku, unë nuk i shikoj shumë llogaritë. Ende nuk e di saktë sa kam investuar, por gjithsesi që bëhet fjalë për shifra të mëdha”, ka bërë të ditur Dushi.

Pas dominimit absolut në kampionatin e kaluar, gjatë të cilit garoi në kategorinë e tretë, Zhuqa sivjet do të paraqitet në kategorinë e dhjetë dhe sfidat kryesore do t’i ketë në garat ndërkombëtare. “Sa po e kam blerë bolidin e ri dhe jam i gatshëm për gara. Sigurisht që nga kjo fundjavë, kur mbahet gara në Prevallë unë do të jem i rregullt dhe shpresoj të përsëris suksesin e vitit të kaluar, por gjithsesi që synimi im është të arrij rezultate të mira edhe në garat ndërkombëtare”, ka theksuar Dushi, i cili në pronësi të tij e ka edhe një Audi, po ashtu shumë konkurruese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat