Policia portugeze shkatërron bandën ruse të futbollit

Sporti

Policia portugeze shkatërron bandën ruse të futbollit

Më: 5 maj 2016 Në ora: 11:56

Skandal në futbollin portugez. Uniao de Leiria, klub që aktualisht militon në kategorinë e tretë është nën hetim, ndërsa Europol konfirmoi se ka arrestuar tre drejtues të rëndësishëm të një grupi kriminal.

Policia mësyu në ish-klubin e Jose Mourinho-s, i cili ishte mes skuadrave portugeze që u kontrolluan nga policia, në operacionet për të shkatërruar një bandë të mafias ruse të pastrimit të parave.

Operacioni i koduar me emrin “Matriushkat”, synonte goditjen e bandës që akuzohet se ka pastruar miliona euro nëpër vende të ndryshme Europiane.

Hetuesit zbardhën edhe skemën e përdorur nga pjesëtarët e mafias ruse. Fillimisht ata krijonin kontakte me drejtues të klubeve që ndodheshin në vështirësi financiare, blinin aksionet dhe premtonin investime të rëndësishme, ndërsa më pas i përdornin skuadrat e futbollit për aktivitetin e tyre kriminal, raporton supersport.

Metoda për pastrimin e parave niste nga transfertat e futbollistëve, të marrëveshjet për të drejtat televizive dhe nëpërmjet basteve. Uniao de Leiria, ku Mourinho qëndroi për 20 ndeshje në krye të stolit, përpara emërimit te Porto në Janar 2002, shpalli falimentin.

Kjo ndodhi në vitin 2013, ndërsa dy vjet më pas klubi u ble nga Tolstikov. Mes klubeve që u kontrolluan nga policia portugeze ishin edhe Sportingu i Lisbonës, Braga dhe Benfica. Këto skuadra elitare janë pjesë e tërthortë e hetimit, që lidhet vetëm me operacionet e shitjes dhe blerjes së lojtarëve dhe nuk mendohet se janë të dyshuara. Europoli konfirmoi gjithashtu se operacioni në Portugali e ndihmoi të identifikonte krime serioze edhe në shtete si Austria, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat