4 skuadra në “luftë” për finalen e Europa League

Sporti

4 skuadra në “luftë” për finalen e Europa League

Më: 5 maj 2016 Në ora: 00:54

Të enjten në mbrëmje luhen dy ndeshjet e kthimit në Europa League dhe mundësitë janë shumë të mëdha që takimi final të luhet ndërmjet dy klubeve spanjolle. Tashmë nevojitet edhe një sforcim i fundit për të mbërthyer një vend në ndeshjen përmbyllëse të 18 majit, në St. Jakob – Park sidoqoftë 90′ e para i dhanë një avantazh të mirë si Seviljes ashtu edhe Vijarealit. Në El Madrigal spikatën durimi dhe zgjuarsia taktike e trajnerit Marcelino Garcia Toral, që u mundua më së shumti për të mos pësuar, ndërkaq në krahun tjetër në mënyrë të pashpjegueshme trajneri Jurgen Klopp preferoi të luajë pa sulmues të mirëfilltë, zgjedhje që përvec kritikave të shumta solli njëherësh edhe disfatën e ndeshjes së parë. Goli i shënuar pikërisht në kohën shtesë nga ana e Adrian Lopez përvecse lehtësisht i evitueshëm ishte gjithashtu edhe tepër naiv, gjithsesi ky pritet të jetë edhe celësi i takimit të kthimit dhe pyetja që lind natyrshëm është a do të gjejë dot zgjidhjet e duhura trajneri gjermani i “të kuqve” për të neutralizuar kundërzbritjet e shpejta dhe tepër të rrezikshme të Villarrealit.

Ekipi spanjoll e tregoi qartë se e meriton më së miri nofkën “nëndetëse e verdhë”, megjithatë këtë radhë gjërat mund të shkojnë krejt ndryshe pasi Liverpuli është një ndër klubet më të lavdishëm në glob, e për më tepër klubi nga Merseyside është futur thellë në librat e historisë, duke kompletuar shpesh herë përmbysje nga më të pabesueshmet. Sic dihet janë të konfirmuara mungesat e futbollistëve të tillë si Sakho dhe Origi, ndërsa Emre Can do të jetë tepër e vështirë që të luajë, pa lënë mënjanë faktin që Liverpuli nuk mund të mbështetet dot për pjesën e mbetur të sezonit as te kapiteni i skuadrës Jordan Henderson, ndërsa në krahun tjetër në dyshim është qendërmbrojtësi nga Bregu i Fildishtë Eric Bailly. Shtypi britanik ka hamendësuar një lloj zënke ndërmjet trajnerit Jurgen Klopp dhe sulmuesit Daniel Sturridge, sidoqoftë 48-vjecari nga Shtutgarti këtë herë ka nevojë për të, pasi duket e vështirë që trajneri gjerman t’i besojë një ndeshje të tillë sulmuesit belg Christian Benteke. 6 vjet më parë, në përballjen e fundit me një klub spanjoll në këtë kompeticion Liverpuli fitoi 2-1 në shtëpi me Atleticon e Madridit, me “los colchoneros” që atë vit fituan trofeun ndaj Fulhamit të Roy Hodgson, pas një goli të vonë në kohën shtesë nga ana e uruguajanit Diego Forlan.

Vendasit do të bëjnë cmos për të përmbysur rezultatin, në mënyrë që të shpresojnë për një vend në Champions sezonin e ardhshëm, ndërkaq Villareali në krahun tjetër e siguroi pjesëmarrjen në këtë aktivitet teksa fitoi në fundjavën e kaluar Derbin e Komunitetit Valencian. Pas dy eliminimeve në fazën gjysmëfinale të këtij kompeticioni Villarreali është shumë pranë finales së parë në histori në Kupat e Evropës, gjithsesi për ta merituar këtë “nëndetësja e verdhë” duhet patjetër të kalojë provën e vërtetë, me zhurmën dhe atmosferën e zjarrtë që krijon Anfield-i mitik. Në këtë aktivitet Spanja mbrohej në renditje me vetëm 2 tituj të fituar nga Reali i Madridit në mesin e viteve 80, megjithatë vendi iberik ka fituar plot 7 trofe në këtë kompeticion në 12 edicionet e fundit. Që të përmirësohet kjo statistikë nevojitet që Sevilja të administrojë barazimin 2-2, të siguruar në Ukrainë një javë më parë.

Ekipi i Shakhtar Donetsk-ut përmbysi që në pjesën e parë disavantazhin e golit të shpejtë të Vitolos, por ai 11-metërsh i shndërruar në gol nga Gameiro në fund të ndeshjes tashmë i jep goxha epërsi klubit andaluzian. Trajneri Mircea Lucescu ka deklaruar se ekipi i tij ka nevojë për fatin që patën bardhekuqtë 9 vjet më parë, kur shënoi portieri Andres Palop në sekondat e fundit të atij dueli, sidoqoftë Shakhtari është përmirësuar ndjeshëm jashtë fushe dhe duke patur parasysh disfatën e Seviljes me Athletic Bilbaon, në fazën cerekfinale, klubi ukrainas do të tentojë deri në fund për t’u kualifikuar brenda në Ramon Sanchez Pizjuan. Trajneri Unai Emery rreshtoi në fushë ndaj Espanjolit lojtarët rezervë, gjithsesi në Ukrainë trajneri bask humbi një futbollist shumë të rëndësishëm si Michael Krohn – Dehli, që do të qëndrojë për plot 8 muaj larg fushave, pas një dëmtimi të rëndë në gju. Nëse kualifikohen skuadrat e Seviljes dhe Vijarealit atëherë do të kemi finalen e tretë ndërmjet dy klubeve spanjolle në këtë kompeticion, pas viteve 2007 e 2012 ku u regjistruan finalet Sevilje – Espanjol dhe Atletico Madrid – Athletic Bilbao.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat