Babë - Kosova u pranua në UEFA

Sporti

Babë - Kosova u pranua në UEFA

Nga: Kemajl Goca Më: 3 maj 2016 Në ora: 18:17

I ndjeri Rexhep Abdullahu në kohërat më të vështira ka qenë kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. Djali i tij, Fatoni, është tejet i emocionuar dhe i gëzuar me pranimin e futbollit të Kosovës në UEFA. Ai në facebook ka shkruar disa rreshta emocionues, por edhe të krenarisë që amaneti i babait të tij ka shkuar në vend. “Baba jem Rexhep Abdullahu (1930 - 2007) ishte në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës për disa vite (1996-2001). Në të vërtetë ishte në krye të saj në kohërat më të vështira për historinë e futbollit kosovar, në kohën që ne e njohim si ‘koha e millosheviqit’. Në atë kohë futbollistët, punëtorët e sportit, publiku të gjithë ishin përjashtuar nga stadiumet dhe ambientet e futbollit. Futbolli luhej në livadhe e fusha. Futbollistët pastroheshin në vija uji apo me borë.

Transporti jo vetëm që ishte i vështirë por gjithnjë i rrezikshëm. Policët ndalonin të tilla aktivitete. Futbollistët rriheshin nga policia, trajnerët maltretoheshin arrestoheshin, publiku gjithashtu. Jo vetëm një herë është burgosur për aktivitetin e tij sportiv edhe baba jem në krye të asaj detyre. Iu është marrë edhe pasaporta për kohë të gjatë.
Por dashuria për futbollin ishte më e fortë se dhuna serbe në Kosovë. Sot babë të falënderoj ty dhe të gjithë të tjerët që të ndihmuan për ta mbajtur gjallë futbollin në Kosovë. Futbolli evropian sot e pranoj këtë histori të ndershme e të lavdishme. Sot Kosova është në UEFA. Që nga nesër këtë histori do ta shkruajmë ndryshe, me talentin dhe me lojën e ekipit të Kosovës në Evropë”, shkruan Faton Abdullahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat