Mediet e huaja parashohin Kongres të “nxehtë” të UEFA-s shkaku i Kosovës

Sporti

Mediet e huaja parashohin Kongres të “nxehtë” të UEFA-s shkaku i Kosovës

Më: 3 maj 2016 Në ora: 09:44

3 maj është dita e historisë për Kosovën. Sot futbolli i Kosovës mund të thyej izolimin disavjeçar për t’iu bashkuar shteteve të Evropës në shtëpinë më të madhe të futbollit, në UEFA.

Sot 54 shtete të Evropës në Kongresin e UEFA-s që do të mbahet në Budapest të Hungarisë, do të votojnë për pranimin e Kosovës.

UEFA në njoftimin e saj, ka bërë të ditur se çështja e Kosovës në këtë Kongres, është pika kryesore e rendit të ditës.

Kjo ka bërë që këtij Kongresi e veçanërisht çështjes së Kosovës, t’i jepet rëndësi e madhe nga mediet ndërkombëtare, që sjellin historikun e shtetit më të ri në Evropë, tentativat për pranim në UEFA, futbollistët me prejardhje nga Kosova që veshin fanellat e shteteve tjera, e shumëçka tjetër.

“Kosova, e pavarur nga viti 2008, mund të pranohet në UEFA, në Kongresin që do të mbahet në Budapest më 3 maj dhe në FIFA, më 13 maj. Kjo ua mundëson klubeve pjesëmarrjen në kupat evropiane në sezonin 2016/17 dhe të përfaqësueses së Kosovës në kualifikimet për Botërorin 2018”, shkruan gjiganti mediatik sportiv, Eurosport.

Media belge ‘Hln’ shkruan se UEFA ka vendosur të pranojë Kosovën në Kongresin e Budapestit, teksa potencon se Adnan Januzaj ka mundësinë të ndryshojë reprezentacion.

“Shoqata Evropiane e Futbollit, UEFA, ka vendosur që nesër gjatë Kongresit të 40-të të UEFA-s, në Budapest të Hungarisë të pranojë Kosovën. Adnan Januzaj, i cili zyrtarisht ka luajtur për Belgjikën, ende ka mundësinë e zgjedhjes së Kosovës, sepse ky vend nuk njihet nga UEFA dhe FIFA”, shkruan Hln.

‘Sputniknews’ parasheh debate të nxehta në Kongresin e sotëm të UEFA-s, shkaku i çështjes së Kosovës.

Vlerësimi i kërkesës për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA, do të jetë tema kryesore në Kongres. Gjatë këtij Kongresi pritet të ketë diskutime të nxehta, pasi sipas kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë e tyre. Federata serbe ka thënë se do të bëjë gjithçka për të parandaluar pranimin e Kosovës në UEFA”, shkruan kjo medie.

Çështjes së pranimit të Kosovës, rëndësi i ka kushtuar edhe media rumune ‘agerpres’, e cila ka vendosur Kosovën në titull të lajmit për Kongresin e Budapestit.

“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, do të takohet të martën në Budapest për të vendosur për pranimin apo jo të Kosovës”, është titulli i agerpres.

Gjermania ‘szv.de’ shkruan: “Në Budapest çështje kryesore do të jetë Kosova, që kërkon të bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-s, përballë kundërshtimit të Serbisë në një çështje delikate politike”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat