Ditë e madhe, UEFA vendos sot për Kosovën

Sporti

Ditë e madhe, UEFA vendos sot për Kosovën

Më: 3 maj 2016 Në ora: 07:28

(E plotësuar) - Kosova pritet të pranohet sot në UEFA në Kongresin e jashtëzakonshëm në Budapest.

Për ta parë drejtpërdrejt nga fillimi këtë Kongres, Klikoni KËTU

Federata Evropiane e Futbollit, e njohur si UEFA, do të votojë sot për anëtarësimin e Kosovës në kuadër të këtij mekanizmi. Është kjo pika kryesore e rendit të ditës së Kongresit të UEFA-s, që zhvillohet në Budapest.

Nëse kalon, Kosova do të bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-s. Prej 54 votave në total, asaj i duhen së paku 28 për. Votimi do të jetë i hapur dhe do të bëhet me ngritje të dorës ose të kartonit të votimit.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur qysh në shtator të vitit të kaluar që aplikimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë të shqyrtohet dhe të votohet në kongresin e radhës, që është caktuar për sot.

Anëtarësimi në UEFA u mundëson ekipeve të të Kosovës të luajnë në garat kontinentale.

Për më tepër, kjo i hap rrugë Kosovës që të anëtarësohet edhe në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA, kur të mbajë kongresin e radhës në Meksiko Siti më 12 dhe 13 maj.

FIFA, në janar të vitit 2014, i ka lejuar Kosovës që të luajë ndeshje miqësore kundër shteteve anëtare të FIFA-s, në nivele klubesh dhe ndërkombëtare.

Kosovës, megjithatë, nuk i lejohet të luajë kundër klubeve dhe ekipeve nga shtetet e ish-Jugosllavisë.

Ka qenë po ashtu kërkesë e FIFA-s që ekipet e Kosovës të mos përdorin simbole shtetërore dhe të mos këndojnë himnin e tyre në lojëra.

Prejse Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, Serbia ka kundërshtuar vazhdimisht përfaqësimin e veçantë të saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomisllav Karaxhiq, ka thënë se delegacioni i tij do të luftojë fuqishëm kundër pranimit të Kosovës në kongresin vjetor të UEFA-s, më 3 maj.

Gjibraltari është bërë anëtari i 54-t i UEFA-s në vitin 2013. Edhe Spanja ka luftuar me vite të tëra që territori britanik në cepin e saj jugor të mos anëtarësohet në UEFA. Gjibraltari, megjithatë, nuk është anëtar i FIFA-s dhe nuk mund të marrë pjesë në Kupën e Botës.

Aktualisht, statuti i UEFA-s parasheh që anëtar i saj mund të bëhet vetëm ai vend që njihet si shtet i pavarur nga Kombet e Bashkuara. Në rastin e Kosovës, e cila nuk është anëtare e OKB-së, ky nen pritet të modifikohet dhe për bazë të merret njohja e Kosovës nga shumica e shteteve evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat