Do të largohet De Biasi?

Sporti

Do të largohet De Biasi?

Më: 2 maj 2016 Në ora: 17:35

Armand Duka ka thënë se trajneri De Biasi po mendon vetëm për kampionatin Evropian, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit të tij.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka folur rreth zërave që përzgjedhësi i kombëtares Gianni De Biasi është njëri prej kandidaturave për të zëvendësuar Antonio Conten te Italia.

I ftuar në emisionin Domenica Sportiva në televizionin Rai 2, Duka deklaroi se De Biasi në këtë moment nuk po i mendon këto zëra.

“Në këtë moment, De Biasi po mendon vetëm për Evropianin me Shqipërinë. Nuk mund të them se ai e ka mendjen te Italia. Nuk është mirë që të mendojmë që tani për atë çfarë do të ndodhë pas “Euro 2016”-s dhe ne duhet të përgatitemi sa më mirë. Jo vetëm ne, por edhe De Biasi merr pjesë për herë të parë në një aktivitet kaq të rëndësishëm, një mundësi të cilën ai duhet ta shfrytëzojë mjaft mirë”, u shpreh Duka.

Më pas, presidenti i FSHF-së foli edhe për raportet e tij me presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Tavecchio.

“Kam raporte shumë të mira me të. Ai dhe drejtuesit e tjerë të Federatës janë profesionistë dhe nuk do t'i bëjnë ofertë një trajneri që po përgatitet për një ngjarje si Kampionati Evropian. Në fund të këtij evenimenti mund të flasim përsëri”, tha Duka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat