Prenga: Kualifikimi i Shqipërisë është i vështirë...

Sporti

Prenga: Kualifikimi i Shqipërisë është i vështirë...

Nga: Kemajl Goca Më: 28 prill 2016 Në ora: 10:47

Volejbollistja më e mirë shqiptare, Arjola Prenga, me kombëtaren e Shqipërisë do të përgatiten për Ligën Evropiane që mbahet në muajin qershor. Ndryshe, Prenga është anëtare e Dritës nga Gjilani, me të cilën fituan titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Ajo tha se nuk e ka braktis Dritën: “Si gjithmonë në fund të sezonit rikthehem në Shqipëri. Nuk e braktisa Dritën, por sezoni u mbyll, kështu që me duhet të fokusohem tek kombëtarja e Shqipërisë dhe te punoj edhe më fort”. Shqipëria është në grup shumë të fortë.

“Momentalisht kampionati në Shqipëri nuk ka mbaruar, janë në fazën finale. Grumbullimi i lojtareve dhe stafit bëhet në maj, dhe ne përgatitemi për Ligën Evropiane, ku në grup bëjmë pjesë me Poloninë, Bjellorusinë dhe Sllovakinë. Ndeshjet do të luhen në Poloni dhe në Shqipëri, në muajin qershor”, thotë Prenga për gazetën kombëtare “Bota sot”. Sa është i vështirë ky grup dhe cilat janë gjasat për kualifikim? “Kualifikimi është i vështirë, por jo i pamundur, edhe pse me një përqindje shumë të vogël. Personalisht njoh polaket edhe bjelloruset, jam ndeshur me të gjitha lojtaret që përfaqësojnë këto shtete.

Megjithatë, ne për aq kohë sa do të jemi bashkë duhet të punojmë dhe të japim maksimumin për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze, pavarësisht rezultateve”, përgjigjet Prenga. Sa i përket asaj se kjo kombëtare e tashme është më e fortë se ajo e viteve të kaluara, Prenga thotë: “Nuk mendoj se duhen bërë krahasime a është apo jo më e mira. Trajnerët Altin Mertiri dhe Roland Tarja njohin gjithsecilën nga lojtaret e Kampionatit Shqiptar dhe gjithashtu janë interesuar për ato shqiptare që aktivizohen nëpër botë. Të kesh një pozicion në ekipin kombëtar ka shumë përgjegjësi dhe sigurisht do përkushtim 100 për qind. Do të punojmë të gjithë, të përfaqësojmë kombëtaren sa më mirë”.

Ndërkaq, Prenga thotë se ende nuk ka vendosur se do të vazhdojë me Dritën edhe për edicionin e ardhshëm. “Është herët për të vendosur se ku do të jem sezonin e ardhshëm. Tek Drita erdha më shumë dëshirë dhe mora një kënaqësi shumë të madhe nga klubi, stafi dhe lojtaret. Për momentin jam fokusuar tek ekipi kombëtar, kur të mbarojmë aktivitetin me Kombëtaren atëherë do të kem një përgjigje se ku do me shikoni sezonin tjetër. Edhe pse KV Drita e ka shprehur dëshirën dhe ofertën për të me pasur pjesë edhe sezonin e ardhshëm. Te jem apo jo pjesë e Dritës unë iu uroj suksese të gjithëve, dhe shpresoj që ekipi i volejbollit të marr sa më shumë mbështetje dhe vëmendje nga të gjithë për ta bërë një ekip model dhe pse jo të investojnë për ta bërë pretendent në kupat e Evropës”, thotë Prenga.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat