Neureuther para Myhrerit dhe Schwarzit

Sporti

Neureuther para Myhrerit dhe Schwarzit

Nga: Kemajl Goca Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 12:47

Gjermani Felix Neureuther shënoi fitoren e 12 në karrierën e tij në ski. Skiatori gjerman bëri një paraqitje të shkëlqyeshme në Yuzawa Naeba të Japonisë. Ai zuri vendin e parë me kohë të kaluar për 1:50.93 minuta. Kjo është fitorja e parë për Neureutherin për edicionin e sivjetshëm dhe njëkohësisht është i ngazëllyer për këtë sukses në Japoni. Se gara ishte shumë interesante fakti më i mirë është se gjermani pati kohën më të mirë për 5 qindtat se suedezi André Myhrer. “Ishte një garë e vështirë”, ka thënë mes të tjera Neureuther.

Suedezi me një rrëshqitje pak më të kujdesshme e më pak fat ka mundur edhe të triumfojë, por mbi të gjitha është i kënaqur me vendin e dytë dhe duke lënë pas vetes për 19 qindtat austriakun Marco Schwarz. Norvegjezi Henrik Kristoffersen, që aktualisht kryeson në renditjen e përgjithshme të sllallomit, nuk e pati ditën e tij, duke zënë pozitën e shtatë me 70 qindtat e kohës më të dobët se fituesi i garës. Norvegjezi është në luftë për të fituar edhe titullin e kampionit të botës, i cili mban vendin e dytë në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës. Në renditjen e përgjithshme të sllallomit, Henrik Kristoffersen kryeson me 716 pikë apo ka 216 më shumë se vendi i dytë, kampioni në fuqi Marcel Hirscher.

Felix Neureuther është në vend të tretë me 323 pikë, Fritz Dopfer (Gjermania) 274 e Aleksander Horoshilov (Rusia) 252 pikë. Në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, Hirscher vazhdon kryesimin me 1045, i cili përcillet nga Kristoffersen me 957 pikë, norvegjezët Aksel Lund Svindal (916) e Kjetil Jansrud (735) dhe Peter Fill (Italia) 549 pikë.


Rezultatet

1. Felix Neureuther (Gjermania) 1:50.93
2. André Myhrer (Suedia) 0.05
3. Marco Schwarz (Austria) 0.24
4. Fritz Dopfer (Gjermania) 0.29
5. Marc Digruber (Austria) 0.54
6. Michael Matt (Austria) 0.62
7. Henrik Kristoffersen (Norvegjia) 0.70
8. Sebastian Foss-Solevaag (Norvegjia) 0.70
9. Daniel Yule (Zvicra) 0.98
10. Julien Lizeroux (Franca) 1.05

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat