Nica: Ndeshje e vështirë, Ramadani: Më vjen keq për humbjen

Sporti

Nica: Ndeshje e vështirë, Ramadani: Më vjen keq për humbjen

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 21:28

Një skuadër eksperte e përqendruar më së shumti te Kupa e Shqipërisë.

Por, pas dy humbjeve radhazi në kampionat, Laçi i Stavri Nicës nuk tregoi mëshirë për Flamurtarin, duke fituar në Vlorë. Një ndeshje e studiuar me detaje dhe një fitore që do t’i shërbejë kurbinasve, që sipas trajnerit Stavri Nica kishin humbur disi shpirtin e garës.

“Ndeshja ishte e vështirë, por, kundërshtarët nuk janë shumë të orientuar për zonat e lojës. E parashikuam diçka të tillë dhe e shfrytëzuam, që të luanim më shkurt dhe më ngushtë, për të krijuar situata të favorshme për sulme të shpejta. Lufta për Europën me Teutën dhe Kukësin? Sigurisht që duhet luftuar përditë në stërvitje, pasi kam parë që kemi humbur paksa shpirtin e garës, që sot u rikthye disi. Po vuajmë bashkë me lojtarët për të ardhur te ritmi që kemi zakonisht”.

Protagonist absolut te laçianët ishte Marko Cetkoviç, që po bën të mos ndihet mungesa e Xhemjs.

“Luajtëm mjaft mirë në ndeshjen e sotme dhe e mbrojtëm mirë avantazhin. Ky gol ka shumë vlera për mua, pasi vij nga dëmtimi prej më tepër se gjashtë muaj. Xhejms është një lojtar i shkëlqyer, por tashmë ai është larguar dhe ne shpresojmë të arrijmë rezultate të mira, pasi kemi futbollistë të tjerë mjaft cilësorë”.

Në Vlorë mbetet zhgënjimi, për rastet e shpërdoruara dhe paraqitjen që në total nuk ishte bindëse.

“Si duket portieri e kishte sot ditën e tij. Më të rrezikshëm ishim nga goditjet standarde, por nuk arritëm të shënonim. I përgëzova lojtarët, pasi ishte një luftë dhe sakrificë. Por, kështu është futbolli. Na vjen keq për humbjen dhe për tifozët, por të jeni të bindur që do të kthehemi më të fort. Nuk duhet të gjejmë alibi, por të shohim fajin te vetja. Normalisht te humbjet fajin e ka trajneri dhe duhet të bëjmë një analizë për atë që nuk funksionoi”.

Pa fitore në dy javët e fundit të kampionatit, Flamurtari vazhdon të lundrojë në ujëra të turbullta, por Ramadani beson te ringjallja e kuqezinjve, ashtu siç është edhe emri i trajnerit.

“Duhet të besojmë më tepër te vetja. Secili futbollist duhet të marrin përsipër përgjegjësitë. Mesa duket, kjo na mungon shumë. Emri im që nënkupton ringjallje? Jam ringjallur shumë herë në karrierën time dhe të jeni të sigurt se do ta ringjallim Flamurtarin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat