Laçi thyen Flamurtarin, Çetkoviç “ndriçon” kurbinasit

Sporti

Laçi thyen Flamurtarin, Çetkoviç “ndriçon” kurbinasit

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 21:27

Flamurtari bie në Vlorë, aty nga ku Laçi doli me një 3 pikësh të çmuar pas një 90 minutëshi të luajtur në maksimum nga të dyja skuadrat.

Pas largimit të James është malazezi Çetkoviç ai që mendon për kurbinasit duke shënuar golin e suksesit në transfertën e Vlorës. Loja nisi e qetë nga të dyja skuadrat që preferuan të studionin njëra tjetrën në minutat e para. Rastin e parë të rrezikshëm e regjistroi Laçi në minutën e 19 me Nimanin që gjeti vetëm shtyllën pas asistit të dhuruar nga Cetkovic. Flamurtari reagoi me shpejtësi duke marrë kontrollin e lojës pasi në të 25-ën Lushtaku goditi nga jashtë zonës por topi përfundoi në duart e Selmanit. 7 minuta më pas, Pashaj dhe Marku nuk arritën ta shtynin topin në rrjetë pas rrëmujës së krijuar në zonën kurbinase, ndërsa pak sekonda më vonë goditja me kokë e Pashajit u largua në vijën fatale nga Çela. Pjesa e parë u mbyll me një finalizim të Alves, goditja e të cilit u bllokua nga portieri bardhezi. Me filimin e fraksionit të dytë, Laçi ndezi sfidën me një gol të shënuar nga malazezi Çetkovic që arriti të shmangte Halilajn për ta ndalur topin në rrjetë.

Skuadra e Stavri Nicës ishte shumë pranë golit të dytë në minutën e 53 por inkursioni i Gocajt nga e djathta përfundoi me topin e grushtuar nga Halilaj. Pak sekonda më vonë Ylli Hoxha gaboi me një goditje të pasaktë, ndërsa në të 56-ën, Martins gaboi një gol pothuajse të sigurtë, duke mos shfrytëzuar asistin e Alves. Në minutën e 64 kryesori Sokoli ndërpreu për disa momente ndeshjen për shkak të koreve ofenduese në adresë të tij, ndërsa gjatë minutave në vazhdim Flamurtari tentoi disa herë për të shënuar golin e barazimit. Në minutën e 73 goditja e Hoxhës u ndal në shtyllë, ndërsa Pashaji ishte sërish i pafat në të 77-ën me një top që u stampua në tranversë. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund dhe në këtë mënyrë Laçi ngjitet në kuotën e 28 pikëve, ndërsa Flamurtari mbetet në vendin e 8 me 17 pikë duke mos arritur të bëjë shkëputjen larg zonës së ftohtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat