Magani e Duro: Beteja për Europën vazhdon

Sporti

Magani e Duro: Beteja për Europën vazhdon

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 19:56

Barazimi 2-2 në Kukës e mban Teutën në vendin e katërt në renditje, në garën për një vend në kupat e Europës.

Trajneri Gugash Magani vlerëson rezultatin pozitiv, edhe pse pranon që durrsakët nuk mund të humbasin përqendrimin, pasi ka ende edhe shumë javë.

“Nuk kemi asnjë lloj sigurie për kupat e Europës, pasi janë edhe 15 javë. Luajtëm përballë një kundërshtari direkt që pretendon kupat e Europës. Rezultati 2-2 është pozitiv për ne. Në momente të veçanta skuadra shfaqi siguri në lojë dhe guxoi, duke kaluar në avantazh. Kundërshtari na ndëshkoi pasi lëshuam pak në lojë. Po të kishim qenë më të qetë nuk do ta kishim pësuar golin e dytë. Por, skuadra besoi deri në fund dhe rezultati na buzëqeshi”.

Mesjavën e ardhshme, Teuta do të luajë sërish në Kukës në Kupën e Shqipërisë. Në lojë është bileta drejt gjysmëfinaleve të turneut, ndërsa sipas Maganit gjithçka është e hapur, megjithë avantazhin 1-0 të ndeshjes së parë.

“Të mërkurën në Kupë? Kupa është diçka tjetër. Nëse në kampionat na nevojitej rezultat pozitiv, në kupë ne luajmë për dy rezultate. Gjithsesi e njohim kundërshtarin dhe do të vijmë me moral tjetër. Jemi me këmbë në tokë, pasi asgjë nuk ka ndryshuar. Ndeshja e barazuar sot nuk ka lidhje me atë që do të luhet të mërkurën, përveçse na forcon psikologjikisht”.

Edhe pse Kukësi ngeci sërish, me autogolin e portierit Koçi në minutat e fundit, trajneri Klodian Duro beson te arritja e objektivit, që është pjesëmarrja në Europa League.

“Rruga është ende shumë e gjatë, ka ende ndeshje përpara. Me këtë lojë dhe shpirt gare që tregoi ekipi, jemi në rrugën e duhur drejt kurorëzimit me sukses të objektivave të vendosura në fillim të sezonit. Nuk është e lehtë që ta nisësh ndeshjen me gol të pësuar. Është meritë e ekipit që tregoi shpirt gare duke përmbysur rezultatin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat