Josa: Avantazhi me 4 pikë nuk është komod

Sporti

Josa: Avantazhi me 4 pikë nuk është komod

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 19:56

Fitorja e dytë radhazi në kampionat në vitin 2016 konsolidoi kreun për Skënderbeun.

Edhe pse shifrat 3-1 krijojnë idenë se suksesi ndaj Tërbunit ishte i thjeshtë, terreni në “Qemal Stafa” ia vështirësoi punën kampionëve në fuqi.

“Këto janë ndeshje shumë delikate. Duhet t’i përshtatesh edhe terrenit dhe nuk të lejojnë të bësh lojën si di skuadra. Kishte momente kur mund të luanim më shtruar. Goli i Salihit na liroi, ndërsa goli i dytë ishte vendimtar, pasi na qetësoi edhe nuk bëri që të ishim në tension deri në fund”.

Pas rezultateve të javës së 21-të, korçarët e rritën në 4 pikë diferencën nga ndjekësit e Partizanit, por sipas trajnerit Josa, ekipi nuk mund të qendrojë i qetë.

“Plus 4 nga Partizani? Ne do ta llogarisim sikur Partizani do t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi të motivuar që të qëndrojmë në krye të renditjes. Bravo Vllaznisë që barazoi, për vete dhe për ecurinë e saj. Sa komodë jemi me 4 pikë diferencë? Nuk do të thotë asgjë, pasi një hap fals na kthen aty ku ishim, me vetëm 2 apo një pikë përpara rivalëve. Janë edhe dy ndeshje të tjera për t’u luajtur ndaj Partizanit apo ekipeve të tjera”.

Në anën tjetër, Tërbuni koleksionoi disfatën e katërt radhazi në kampionat dhe mbetet në fundin e tabelës. Por, sipas trajnerit Viktor Gjoni, pukjanët kanë ende shpresa, edhe pse drejtuesi i stolit pranon vështirësitë prej faktit që lojtarët nuk paguhen prej 7 muajsh.

“Pavarësisht se kanë 7 muaj pa u paguar, lojtarët kanë hyrë në fushën e lojës për të dhënë maksimumin. Shpresoj dhe kam garanci se kjo çështje do të zgjidhet. Ne po harxhojmë lekë nga xhepi për t’i siguruar lojtarëve shërbimet e detyrueshme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat