Tirana fiton për herë të parë në “Selman Stërmasi”

Sporti

Tirana fiton për herë të parë në “Selman Stërmasi”

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 19:41

Vjen më në fund edhe fitorja e parë e Tiranës në Selman Stërmasin e rikonstruktuar.

Një 2-0 ndaj Bylisit i arritur me më shumë vuajtje nga sa tregon rezultati pasi u deshën plot 74 minuta dhe një penallti e Muzakës për të zhbllokuar lojën, por që mbush me entuziazëm kampin bardheblu që thyen një tjetër tabu. Tirana i gëzohet klasifikimit ku blindon vendin e tretë por dhe një Muzake të rigjetur në formën më të mirë dhe zbulimit Peci që debuton me gol me fanellën bardheblu. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, pasi me mungesa të rëndësishme si Muca e Karan në mbrojte dhe Elis Bakaj në sulm, Ilir Daja i duhej të ndryshonte modul duke i besuar 4-4-2. Me Hugo Guimaraes përkrah Fukuit në sulm, në qendër të mesfushës Malaj përkrah Karbecit me Gilman Likën e Muzakën nga krahët, rikthehej me synimin për të treguar vlerat tanimë në krahun e kundërt Frashëri në portën e Bylis ku Zildzovic vinte përpara Hoxhën të mbështetur nga Mbellla Edmilson dhe Hyshmeri.

Ndeshje e nisur me kokën lart nga skuadra ballshiote që kërkon shanset e saj dhe një rast mjaft të mirë e kishte në minutën e 16 kur në një kundërzbritje Ardit Hoxha kishte shansin për të avancuar i vetëm drejt portës por humbi kohë duke i lejuar Hoxhallarit ndërhyrjen vendimtare. Kundërpërgjigja e Tiranës në të 22 me Gilman Likën, që provon nga distanca, por Frashëri me majat e gishtave arrin të devijojë topin në shtyllë. Bardheblutë duken pa shumë ide, ndërsa Bylisi krijon më tepër, në goditjen standart të Edmilson në minutën e 31, Albi Alla kërcënon me kokë, ndërsa pas vetëm dy minutash Edmilson provon vetë nga kufijtë e zones pa gjetur katërkëndëshin e portës. Dy skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me rrjeta të paprekura dhe Tirana ka shansin për të shënuar golin e parë në minutën e 51 kur pas një kombinimi të bukur mes Malajt dhe Fukuit japonezi merr krahun e majtë dhe pason për Hugon, i cili merr topin në qendër të zonës, por nuk shfaq instiktin e bomberit në një rast vërtet të mirë për Tiranën.

Për fatin e Frashërit nuk është i saktë as Masato Fukui që në minutën e 58 ka mundësinë të gjuajë një penallti në lëvizje. Tirana intensifikon përjekjet dhe momenti i duhur vjen në minutën e 74 kur Edminlson prek topin me dorë në zonë dhe për gjyqtarin nuk ka hezitim, është penallti. Nga pika e bardhe Gjergji Muzaka nuk fal duke ndëshkuar Frashërin. Tirana në avantazh, bardheblutë mund të marrin frymë lirisht, goli i tretë në tre ndeshjet e fundit në kampionat për Muzakën që po rikthehet ai që të gjithë kemi njohur. Pak më vonë mesfushori shpërthen në krahun e djathtë dhe nxjerr para debutuesin Peci që mund të avancojë i vetëm drejt portës por e ekzagjeron në tentativën për të imituar Ronaldon duke i lejuar Albi Allës të neutralizojë rrezikun. Bylisi përpiqet të reagojë por në të 82 Ardit Hoxhaj gjuan jashtë në diagonale ndërsa 3 minuta më pas Edvan Bakaj është gati në portë, dhe një minutë para fundit të kohës së rregullt ka kohë dhe për të shenuar një debutim ëndërrash për Pecin që shënon golin e 2-0 për të elektrizuar ambientin bardheblu. Mbyllje kopertinë me golin e një të riu te një Tiranë që po thyen tabu pas tabujë, skuadra e Dajës funksionon për mrekulli, ka lënë 5 pikë pas Teutën që ndjek në klasifikim, ndërsa Partizani i vendit të dytë është vetëm 7 pikë larg. Ku i dihet ndoshta kjo Tiranë frymëzon për dicka më tepër se vendi i tretë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat