Maratona 42 kilometërshe për herë të parë në Kosovë

Sporti

Maratona 42 kilometërshe për herë të parë në Kosovë

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 18:19

Vrapues të shtigjeve të gjata të klubit “Gërmia555”, në mbështetje të Komunës së Gjakovës dhe Bashkësisë Tropojë, nesër do të shënojnë shtegun 42 kilometra e 195 metra duke filluar nga qyteti i Gjakovës e deri në qytetin Bajram Curr, e cila zyrtarisht pritet të mbahet në vjeshtën e këtij viti.

Kjo maratonë e këtij lloji po bëhet për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri dhe synon që përveç vrapimit të shijohen edhe pasuritë natyrore dhe kombëtare të qafës së Malësisë së Gjakovës.

Kryetarja e komunës së Gjakovës e cila njëkohësisht ishte iniciatore e këtij organizimi së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës, Federatën Atletike të Kosovës, si dhe Klubi “Gërmia555” po synojnë që maratonë ta bëjnë tradicionale.

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Kusari-Lila, gjatë një konference për media tha se në Kosovë nuk ka pasur ende një shteg të tillë prej 42 kilometra. Ajo shtoi se nëpërmjet këtij organizimi gjithashtu synojnë që të promovojnë edhe bukuritë e Malësisë së Gjakovës, e cila sipas saj, ka shumë për të ofruar.

“Komuna e Gjakovës dhe Bashkia e Tropojës janë bashkëorganizatore në kuadër të këtij aktiviteti i cili përveç faktit të promovimit të vrapimit dhe vlerave sportive, synon promovimin e zonës, Malësisë së Gjakovës, synon që përkundër padrejtësive historikë që i janë bërë zonës që gradualisht të ketë një aktivitet të përbashkët që tregon tërësinë si gjeografike, nacionale, kulturore e shpirtërorë të Malësisë së Gjakovës”, tha ajo.

Kryetari i klubit “Gërmia555”, Ukë Gashi tha se kjo ide ka lindur pasi që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë maratonë të tillë.

“Ne si grup, jemi një grup vrapuesish të cilët merren me distanca të gjata. Kemi marr pjesë nëpër maratona të ndryshme nëpër Evropë, dhe ka lindë ideja që edhe vendi jonë të ketë një maratonë si shtetet tjera. Ne nesër, një grup prej 12 vrapuesve, do të bëjmë shenjëzimin e shtegut për të cilën deri në nëntor shpresojmë se me ndihmën e kryetarit të komitetit olimpik dhe kryetarit të atletikës së Kosovës edhe të zyrtarizojmë ta bëjmë si një garë evropianë që e ka edhe vendi jonë” , tha ai.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, së bashku me kryetarin e Federatë Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, shprehën mbështetjen e tyre për këtë organizim. Ky i fund it tha se kjo maratonë 42 kilometërshe nuk do të jetë e lehtë por do ta lidh një popull të ndarë në dy shtete.

“Kkjo maratonë edhe pse lidh dy shtete e një popull dhe popuj tjerë, ta bëjë si tradicionale dhe të marrim pjesë edhe garues të tjerë. Si Federatë Atletike e Kosovës do të jemi prezent dhe gjithherë në ndihmë që të mos ketë ndonjë problem me këtë garë”, tha ai.

Shtegu i vrapimit pritet të fillojë nesër në ora 8:00, në sheshin “Nëna Terezë”, në Gjakovë për të vazhduar deri te monumenti i heroit të Malësisë së Gjakovës. Pastaj, vazhdon në kufirin Qafë-Morinë për të kaluar nga rruga e vjetër e kufirit dhe kështu për të arritur në qendër të qytetit të Bajram Currit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat