Rezultatet e sportit, lajmi më i mirë për Kosovën

Sporti

Rezultatet e sportit, lajmi më i mirë për Kosovën

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 14:22

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga dy zëvendëskryeministrat, Hashim Thaçi e Kujtim Shala, në prag të tetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, zhvilluan një takim me drejtuesit e Komitetit Olimpik dhe me drejtuesit e federatave të sportit të Kosovës, me të cilët biseduan për politikat e qeverisë së Kosovës në raport me sportin, për nevojën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve mes qeverisë dhe federatave në funksion të afirmimit dhe masivizimit të sportit, për sfidat e sportit të Kosovës dhe angazhimet e qeverisë për t’i tejkaluar ato.

Kryeministri Mustafa, zëvendëskryeministri Thaçi dhe ai Shala, (ky i fundit njëherësh ministër që mbulon sportin), përgëzuan drejtuesit e federatave për sukseset e sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe u shprehën se sporti është interes vital i Kosovës, ndaj edhe do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Kosovës. Kryeministri Mustafa në këtë takim shprehu përkushtimin e tij dhe të qeverisë së Kosovës për të ndihmuar dhe avancuar më tej sportin e Kosovës, nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, në legjislacion bashkëkohor dhe subvencionime.

Po ashtu, kryeministri u shpreh se Kosova këto vite të fundit, ka dëshmuar se ka talent të shumtë, ndaj ata do të kenë kujdesin dhe mbështetje financiare për t’i zhvilluar dhe kultivuar cilësitë e tyre. Për këtë arsye, është iniciuar Ligji për Sponzorizime në Sport e Kulturë, i cili krijon kushte që sporti i Kosovës të ketë mbështetjen edhe nga fondet tjera, përveç atyre publike, u tha në këtë takim. Drejtuesit e federatave të pranishëm në këtë takim, falënderuan Qeverinë e Kosovës dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e frytshëm në funksion të përmirësimit të jetës sporteve në vend. Po ashtu, ata shprehën përkushtimin e tyre për të ndihmuar konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe përmirësimin e imazhit të tij, nëpërmjet sportit dhe pasimit të tij në arenën ndërkombëtare, ku Kosova gjithnjë e më shumë po tregon suksese.

Drejtuesit e federatave, në këtë takim, gjithashtu shprehën kërkesat e tyre ndaj Qeverisë, sidomos ato që lidhen me nevojën e përmirësimit të kushteve në infrastrukturë, në legjislacion dhe në subvencione, për çka gjetën mbështetjen dhe përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, të kryeministrit dhe dy zëvendëskryeministrave, të cilët u shprehën se do të punojnë intensivisht që t’iu përgjigjet kërkesave që dalin nga federatat, në të mirë të sportit. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të ndihmojë zhvillimin e mëtejmë të sportit të Kosovës, modernizimin dhe afirmimin e tij, sepse kjo ndikon në emancipimin e shoqërisë sonë, u tha ndër të tjera në këtë takim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat