Edgar Cani: Besimi i Gatusos më mbajti te Pisa

Sporti

Edgar Cani: Besimi i Gatusos më mbajti te Pisa

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 00:53

Dygolëshi i realizuar ndaj Arezzos në javën e 21-të të Lega Pro, mund të rezultojë pika e kthesës për formën e Edgar Canit, i cili prej disa sezonesh ka humbur shumë nga shkëlqimi i viteve të para të karrierës së tij. Sulmuesi 26-vjecar, i cili është aktivizuar në 15 ndeshje me kombëtaren shqiptare, edhe gjatë merkatos së janarit përflitej se do të largohej nga Pisa, ku kishte shënuar vetëm një gol gjatë fazës së parë të kampionatit, por vendosi të mos ndryshonte ambient. Në një intervistë të fundit për mediat italiane Cani thekson se ka patur oferta të shumta gjatë merkatos dimërore, por nuk i ka marrë në konsideratë pasi drejtori sportiv Luchesi, dhe ish-futbollisti i Milanit, Gatuso, ia kishin bërë të qartë se kishin shumë besim tek ai.

Më pas Cani komentoi edhe situatën që po kalon Pisa, i cila renditet në vendin e dytë Grupit B të Lega Pro. Ai u shpreh shumë i kënaqur për faktin se dygolëshi i tij u dha fitoren skuadrës pas dy humbjeve radhazi me Teramon dhe Anconen, duke e pranuar se ka kaluar muaj të vështirë. Tri pikët e fituara ndaj Arezzos, thekson më tej Cani, i japin moral skuadrës për ndeshjet e ardhshme.

Për të siguruar ngjitjen direkt në Serinë B Pisës i duhet ta përfundojë kampionatin në vendin e parë, që aktualisht mbahet nga Spal me 9 pikë më shumë. Canit ky mision nuk i duket aspak i pamundur, për aq kohë sa e lejon edhe matematika.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat