K. Gjermanisë, Bayerni dhe Hertha, në gjysmëfinale

Sporti

K. Gjermanisë, Bayerni dhe Hertha, në gjysmëfinale

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 22:50

Kupa e Gjermanisë zbuloi edhe dy skuadrat e fundit që kualifikohen në gjysmëfinale të këtij kompeticioni duke iu bashkuar Borussias së Dortmundit dhe Werder Bremen.

Ato janë Bayerni i Mynihut dhe Hertha e Berlinit, që eliminuan në çerekfinale respektivisht Bochumin dhe Heidenheimin. Skuadra e Pep Guardiolës triumfoi 0-3 në fushën e Bochumit, me ekipin e Bundesligës së dytë që luajti nga minuta e 43-të me një lojtar më pak. Guardiola për të shmangur çdo surprizë të pakëndshme, kishte hedhur në fushë formacionin më të mirë. Gjithsesi u deshën thuajse 40 minuta lojë që Bayerni të gjente golin me Robert Lewandowskin, që shfrytëzoi një pasim të saktë të Thomas Muller. 2 minuta më pas Arjen Robben rrëzohet në hyrje të zonës nga Simunek, që për gjyqtarin është 11-metërsh dhe karton i kuq. Nga pika e bardhë provon Muller, por portieri Rieman bën mrekullinë. Bavarezët i mbyllën llogaritë në të 61-ën me golin e Thiago Alcantaras, i asistuar nga i zakonshmi Muller, ndërsa në minutën e fundit të kohës së rregullt Robert Lewandowski me golin e dytë personal vulosi fitoren 0-3 të Bayernit.

Një sfidë mjaft interesante u zhvillua në stadiumin “Voith Arena”, mes Heidenheimit dhe Herthës së Berlinit, që përfundoi me rezultuatin 2-3. Vendasit shënuan të parët me Feick në minutën e 10-të, mirëpo avantazhi i formacionit të Frank Schmidt zgjati vetëm pak çaste pasi në të 14-ën Ibisevic vuri baraspeshën. Sulmuesi boshnjak shënoi golin e dytë personal në të 21-ën, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Haraguchi i çoi shifrat në 1-3. Heidenheimi arriti ta shkurtonte diferencën në të 82-rën me Schnaterer, por pati më forcë për golin e barazimit. Tashmë pritet hedhja e shortit për të mësuar çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Gjermanisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat