Karabeci: Duam fitoren e parë në Selman Stërmasi

Sporti

Karabeci: Duam fitoren e parë në Selman Stërmasi

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 21:01

Tirana kërkon fitoren e parë në shtëpi, prej inaugurimit të stadiumit Selam Stërmasi. Bardheblutë vijnë nga një seri prej katër fitoreve radhazi në trasfertë, më e fundit duke thyer tabunë në Laç, ndërsa të shtunën presin Bylisin në shtëpi. Një ndeshje që në letër duket e lehtë, por jo sipas Erando Karabecit.

“Pas shumë rezultateve pozitive jashtë fushe, kërkohet rezultati i parë pozitiv në fushën tonë, sepse akoma nuk e kemi arritur. Pavarësisht se në letër ndoshta mund të duket ndeshje e lehtë, e mohoj kategorikisht që të jetë e lehtë, pasi në këtë kampionat është vërtetuar se edhe ekipi i vendit të fundit të merr pikë. Për më tepër, për ne si ekip nuk ka ndeshje të thjeshta, si në Laç si me Bylisin në fushën tonë, vështirësia është e njëjta. Nëse do të humbasim përqendrimin dhe nuk do ta vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin, atëherë do të jetë shumë e vështirë për ne.

Më tej organizatori flet për objektivat e skuadrës, që pas arritjes së vendit të tretë mund të synojë të kapë edhe Partizanin në vendin e dytë. Ai flet edhe për mungesat e Bakajt dhe Karan për sfidën e fundjavës.

Erando Karabeci

Ndodheshim në vendin e gjashtë dhe kishim synim të arrinim vendin e tretë, që është zona e Europës. Tani që e arritëm, synimet shkojnë për më lartë. Por, duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë serinë e rezultateve që kemi pasur dhe më tej të shohim se çfarë do të arrijmë. Jemi në progres e sipër, kemi ende për të treguar. Mendoj se e kemi grupin që të mos i ndjejmë mungesat e Elisit dhe Karanit. Shpresojmë ta zgjidhim ndeshjen edhe me këto mungesa.

Kundër Bylisit, Tirana gjen përballë një “ish”, si portieri Stivi Frashëri, i cili u largua nga bardheblutë mes polemikave dhe akuzave, ku një prej emrave që përmendi ishte pikërisht ai i Karabecit.

Erando Karabeci

Kush është ky? Nuk e njoh fare. Njoh disa lojtarë të Bylisit që kanë luajtur me Tiranën, si Yshmeri apo Peposhi, por këtë nuk e njoh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat