Flamurtari më në formë se rivalët

Sporti

Flamurtari më në formë se rivalët

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 21:00

Me Tërbunin që ka pak shpresa, lufta për mbijetesë në kategorinë Superiore do të zhvillohet e gjitha mes Vllaznisë, Flamurtarit dhe Bylisit. Aktualisht 2 pikë i ndajnë këto tre skuadra në tabelën e klasfikimit, kjo edhe për faktin se vlonjatëve u janë zbritur tre pikë nga Fifa për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj kroatit Toni Pezo. Megjithatë nëse u hedhim sy paraqitjeve të fundit duket që është Flamurtari skuadra më e kompletuar, pasi në krahasim me Vllazninë dhe Bylisin ka dicka më shumë në cilësi. Në përfundim të ndeshjes së barazuar 1-1 ndaj Partizanit në kryeqytet trajneri i kuqezinjëve Zekerija Ramadani u shpreh se nëse vazhdon me këtë ritëm Flamurtari as që do ta diskutojë mbijetesën, dhe pikërisht në ndihmë për të arritur këtë objektiv mund ti vijë kalendari, pasi në 2 javët e ardhshme vlonjatët janë të favorizuar në letër ndaj dy rivalëve të tyre që janë Vllaznia dhe Bylis. Flamurtari që aktualisht numëron 17 pikë në klasfikim, 1 më tepër se ballshiotët dhe 1 më pak se kuqeblutë 2 takimet e radhës për kampionat do ti zhvillojë në shtëpi ndaj Lacit që më shumë sesa te kampionati e ka mendjen te Kupa dhe përballë Vllaznisë. Flamurtarit i paraqitet kështu mundësia ideale për të krijuar një diferencë të konsiderueshme ndaj shkodranëve dhe Bylisit nëse grumbullon 6 pikë në këto dy sfida duke mundur edhe një rival direkt si Vllaznia. Në ndryshim nga vlonjatët kuqeblutë e Cungut këtë javë do të presin në Shkodër Partizanin për të udhëtuar më pas në Vlorë ku në vitet e fundit nuk kanë kujtime aspak të mira pasi kanë humbur 8 nga 9 transferta gjithsej. Në letër edhe në këtë përballje Flamurtari është superior pasi mbi të gjitha ka zhvilluar një merkato shumë më cilësore se Vllaznia në Janar. Akoma më të vështirë është kalendari i dy javëve të ardhshme për Bylisin që fillimisht do të udhëtojë në kryeqytet për të sfiduar Tiranën dhe më pas në Lac për tu ndeshur me skuadrën e Stavri Nicës. Me pak fjalë përsa i përket luftës për mbijetesë kalendari i dy javëve të ardhshme është një aleat i fuqishëm i Flamurtarit dhe në Vlorë nuk kanë ndërmend ta cojnë dëm këtu mundësi të shkëlqyer që u paraqitet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat